Vetëm 10 ditë shkollë, infektohen mbi 160 mësues dhe nxënës në Shqipëri

Shqipëria

Vetëm 10 ditë shkollë, infektohen mbi 160 mësues dhe nxënës në Shqipëri

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Me përfundimin e javës së dytë të vitit të ri shkollor, situata në shkolla në të gjithë vendin është përkeqësuar, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë as për të frenuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, as për të rritur cilësinë e mësimdhënies.

Kështu u deshën vetëm 10 ditë mësim nga 120 minuta në ditë me 4 orë 30 minutash, që të identifikohen mbi 260 nxënës e mësues me koronavirus. Për më tepër këtu nuk përfshihen persona që nuk kanë deri tani simptoma, pasi Instituti i Shëndetit Publik u bën tampon vetëm atyre që kanë shenja të Covid-19.

Nga informacionet që vijnë nga disa shkolla të vendit, rreth 160 mësues dhe staf, si dhe mbi 100 nxënës janë të infektuar, por nuk është marrë asnjë masë për të ndërprerë zinxhirin e infektimit.

Zyrtarisht nuk jepen të dhëna publike për të infektuarit, as nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nga ajo e Arsimit. Por në shumë shkolla kjo dihet mirë dhe po flitet gjerësisht e me shqetësim nga qytetarët.

Edhe opozita konstaton problemin. Ish deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi shpreh keqardhje që sipas saj, "drejtuesit militantë në shkolla e mbajnë të fshehtë informacionin, me qëllim që të mbulojnë dështimin e partisë në pushtet me hapjen e shkollave pa asnjë plan”.

Sipas Vokshit, numri real duhet të jetë shumë më i lartë për dy arsye: “1.Tamponimi është bërë pak ose aspak; 2.Edi Rama ka urdhëruar kodin e heshtjes. Asnjë drejtues nuk bën transparencë e nuk informon stafin mësimor, prindërit e nxënësit duke krijuar një situatë shumë të rënduar psikologjike. Mësuesit, nxënësit së bashku me familjarët janë në panik që shkaktohet më së shumti nga pasiguria, frika që vjen nga mungesa e informacionit”.

Vokshi thotë se në shkolla nuk po respektohet protokolli i sigurisë, kushtet higjieno sanitare vazhdojnë të jenë të mjerueshme, dezinfektimi midis turneve nuk bëhet dhe nuk sigurohen as maska, as dezinfektonte, si dhe mësuesit janë të mbingarkuar, duke rrezikuar uljen e cilësisë së mësimdhënies.

Në këtë situatë, duket se është urgjencë kombëtare që qeveria të marrë disa masa elementare për të ruajtur shëndetin dhe cilësinë e mësimdhënies në shkolla.

Kështu duhet të bëhen testime masive serologjike e tamponim për të gjithë mësuesit dhe stafin ndihmës në çdo shkollë të vendit, në mënyrë të tq qartësohet harta e përhapjes së COVID19 dhe shkëputjes së zinxhirit të infeksionit.

Nga ana tjetër qeveria nuk duhet të lejojë zhvillimin e mësimit në ato shkolla, ku nuk përmbushet asnjë kusht higjeno-sanitar. Që kjo të jetë transparente, shteti duhet të publikojë në ambientet e jashtme të shkollave, certifikatën e plotësimit të kushteve të përcaktuara në protokollin e sigurisë.

Në kushtet kur shqiptarët në shumicë janë të varfër dhe maskat e dezinfektantët janë mall konsumi që paguhet shpesh, shteti duhet të sigurojë dezinfektim për ambientet shkollore dhe maska falas për çdo mësues, si dhe për nxënësit e familjeve në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat