Gjendet 176 kg drogë në një shtëpi, 6 në pranga, mes tyre një police bashkiake/ Emrat

Shqipëria

Gjendet 176 kg drogë në një shtëpi, 6 në pranga, mes tyre një police bashkiake/ Emrat

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 14:44
Foto ilustrim

Zbulimi i 176 kilogramë lëndë narkotike në Berat, ka bërë që të arrestohen 6 persona në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Kanioni”.

Arrestohet kryeplaku i fshatit dhe një punonjëse e Policisë Bashkiake Durrës, si dhe shpallet në kërkim administratori i Njësisë Administrative Tërpan, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Policia e Beratit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Kanioni”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë Arben Lekli, 43 vjeç dhe Alban Bendo, 29 vjeç, banues në Durrës, Sefedin Dokaj, 32 vjeç, banues në Poliçan, Fatjon Beshiri, 31 vjeç, banues në Poliçan dhe Anxhela Beshiri, 25 vjeçe, banuese në Durrës, punonjëse policie në Bashkinë Durrës (vëlla dhe motër), si dhe Fatos Lamaj, 44 vjeç, banues në Çorrogjafë, Berat, kryeplaku i fshatit Çorrogjafë.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi T. B., 14 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në banesën e Arben Lekliut, dhe ambientet e tjera përreth saj u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 176.5 kg lëndë narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim E. Z., banues në Tërpan, Berat, administrator i Njësisë Tërpan, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk ka kontrolluar territorin dhe nuk ka dhënë informacion për kultivimin e bimëve narkotike.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat