Dëmshpërblimet e tërmetit/ Jepen 6 mijë pagesa

Shqipëria

Dëmshpërblimet e tërmetit/ Jepen 6 mijë pagesa

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 16:45
Foto Ilustrim

Janë gjashtëmijë familje në Tiranë, banesat e të cilave janë dëmtuar nga tërmeti që marrin para cash për të riparuar vetë banesën. Për të tjerët, që përllogariten në shifrën e pesëmijëve, është vetëm çështje kohe. Nga korriku deri më tani, në tri mbledhje këshilli, Bashkia ka miratuar dëmshpërblimet vetëm për 60 për qind të përfituesve, ndërsa po punon paralelisht me ndërtimet e reja.

“Deri tani kemi kaluar afërsisht 6061 pagesa për dëmet DS1, DS2, DS3. Nga 6000 qytetarë, 5994 qytetarë janë shpërblyer, janë mirënjohës, u thonë faleminderit atyre që i kanë ndihmuar dhe nuk bëhen palë me parti të falimentuara moralisht, që si hiena mundohen të gjejnë e të bashkëpunojnë me spekulantë për të kërkuar më shumë se ç’u takon apo për të gënjyer që s’i kanë marrë këto pagesa. Të gjitha pagesat janë të dokumentuara”.

Paralelisht me banesat individuale, është marrë vendimi për shembjen e 21 pallateve të para në Kombinat, proces që i hap rrugë trajtimit me bonus qiraje të gjitha familjeve. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, programi i strehimit do të jetë në fuqi deri sa qytetarët të marrin në dorë çelësat e apartamenteve të tyre.

“Dua të siguroj se çdo banor i këtyre pallateve do të vazhdojë të marrë bonusin e qirasë deri ditën që do të marrë çelësat e apartamentit të ri në dorë. Apartamenti i ri do të këtë një vlerë shumë më të madhe në treg se ai që kishte, dhe për sa kohë që merr diçka më të mirë e më të fortë për 100 vitet e ardhshme, besoj se kjo është një formulë me vlerë, më shumë se çdo improvizim tjetër apo spekulim. Nëse kostoja për të riparuar një pallat ‘të kohës së xhaxhit’, të bërë me punë vullnetare nga njerëz që nuk kanë qenë ndërtues, me materiale të varfra, me dije dhe njohuri e teknika të varfra, shkon mbi 70%, duhet rindërtuar. Pra, ky pallat kushton më lirë ta bësh nga e para sesa ta riparosh”, theksoi kryetari teksa argumentonte vendimin për prishjen e pallateve që Instituti i Ndërtimit i ka cilësuar të parikonstruktueshme ose që e tejkalojnë vlerën 70 për qind të riparimit.

Me mbylljen e llogarive për tërmetin e 21 shtatorit brenda harkut kohor të një viti, fokusi i Bashkisë është te lagjet e reja dhe ndërtimi i pallateve të tërmetit të 26 nëntorit. Puna do të nisë shumë shpejt me shembjen e 21 pallateve, pa dëshirën e banorëve dhe do të vazhdojë me të gjitha objektet e klasifikuara DS4 dhe DS5. Për DS1, DS2 dhe DS3 do të ketë kompensime cash që shkojnë deri në 500 mijë lekë. Edhe pse procesi i klasifikimit është shoqëruar me debate, si çdo projekt tjetër, Veliaj nënvizoi se e gjithë procedura ka qenë transparente. Sipas tij, inxhinierët, strukturalistët, arkitektët kanë venë firmën e tyre dhe janë përgjegjës përpara ligjit për të gjitha studimet që kanë bërë për këto pallate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat