Kriza ekonomike pas tërmetit e pandemisë, FMN vlerëson masat e marra nga qeveria: Ja çfarë duhet të bëni në vijim

Shqipëria

Kriza ekonomike pas tërmetit e pandemisë, FMN vlerëson masat e marra nga qeveria: Ja çfarë duhet të bëni në vijim

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 19:06
FMN

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), zhvilloi një vizitë virtuale më 17-28 shtator 2020, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të parë Pas Programit.

“Tërmeti i muajit nëntor 2019 dhe pandemia e COVID-19 kanë pasur pasoja të mëdha për jetën e njerëzve dhe ekonominë e Shqipërisë. Falë menaxhimit të përshtatshëm të politikave dhe kushteve financiare lehtësuese në botë, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i Shqipërisë është ruajtur”-thotë FMN në deklaratën për vendin tonë.

“Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza është e përligjur, por duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, si dhe të jetë objekt i transparencës dhe i llogaridhënies”-vijon më tej fondi.

“Autoritetet duhet t’i dyfishojnë përpjekjet për të përmirësuar të ardhurat tatimore nëpërmjet ngritjes së një sistemi më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent tatimor i cili nxit rritjen ekonomike. Sa i përket sektorit bankar, FMN sqaron se, ka vijuar të jetë deri tani i qëndrueshëm dhe likuid. “Në veçanti, niveli relativisht i lartë i kredive me probleme ka mundësi të rritet për shkak të ndikimit që ka pandemia tek huamarrësit.

Megjithatë tërmeti dhe pandemia nuk janë pa pasoja.

Ekonomia shqiptare do të tkurret me rreth 7.5 për qind gjatë këtij viti, megjithatë do të nisë të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit.

Këto janë parashikimet që bën Fondi Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e ekonomisë shqiptare.
Por përpos këtyre parashikimeve, FMN kërkon nga qeveria shqiptare që të marrë një sërë masash me qëllim rimëkëmbjen sa më të shpejtë.

Konkretisht FMN apelon që të tentohet një rënie modeste e nivelit të borxhit i cili deri në fund të vitit parashikohet të arrijë nivelin rekord prej mbi 80 për qind. Kërkohet që autoritetet të kufizojnë shpenzimet jo prioritare, për të krijuar hapësirë për shpenzime të mjaftueshme për kujdesin shëndetësor lidhur me pandeminë dhe për mbrojtjen sociale të grupeve më të cenuara, si dhe për të mbajtur një nivel likuiditeti të konsiderueshëm si reserve në rastin e një pandemie më të rëndë.

Sipas FMN, mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, dhe subjekt i transparencës dhe llogaridhënies dhe me masa adekuate kontrolli të menaxhimit të financave publike (MFP), ndërsa ritheksohet edhe njëherë qëndrimi kundër një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore si edhe me risqet e lidhura me pastrimin e parave dhe me qeverisjen.

Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron ndërhyrje në sistemin tatimor, duke e bërë më të drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent, që të mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar ndërkohë klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat