650 kandidatë për hetues në BKH, Aida Hajnaj: Procesi i përzgjedhjes do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar

Shqipëria

650 kandidatë për hetues në BKH, Aida Hajnaj: Procesi i përzgjedhjes do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 10:30
Ilustrim

Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj ka njoftuar mbylljen e aplikimeve për hetues në BKH.

Sipas njoftimit të bërë në faqen e saj zyrtare, BKH njofton se numri i kandidatëve që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FBI-së shqiptare është mbi 650.

Hajnaj falenderon kandidatët që kanë aplikuar ndërsa shprehet se procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent. Ky proces do të asistohet dhe monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve

“Për Mbylljen e Aplikimeve për pozicionet “Hetues” në Byronë Kombëtare të Hetimit Falenderoj të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për pozicionet “Hetues” në Byronë Kombëtare të Hetimit. Afati i fundit për aplikim ka qënë data 29.09.2020, i cili ka përfunduar në orën 24.00 të kësaj date.

Numri i kandidatëve të interesuar, që iu përgjigjën thirrjes për të aplikuar për këtë pozicion pune,në zbatim të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” është mbi 650, sa më shpejt që të jetë e mundur do bëjmë saktësimet dhe do të njoftojmë numrin e saktë të kandidatëve që kanë aplikuar.

Falenderoj edhe njëherë të gjithë kandidatët që kanë aplikuar dhe ju garantoj që procesi i përzgjedhjes do të jetë një proces i drejtë, objektiv, transparent, dhe i barabartë, duke identifikuar kandidatët/et më të mirë, të cilët do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.

Procesi i përzgjedhjes do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve që garanton transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces.

Aida Veizaj (Hajnaj)
Drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat