Nis vaksinimi kundër gripit, kategoritë që do e përfitojnë falas

Shqipëria

Nis vaksinimi kundër gripit, kategoritë që do e përfitojnë falas

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 14:46
Nis vaksinimi kundër gripit, kategoritë që do e përfitojnë falas

Ka nisur sot programi i vaksinimit kundër gripit, pjesë e planit të vjeshtë-dimrit për të minimizuar riskun nga komplikacionet që vijnë nga gripi stinor, në situatën e pandemisë së koronavirusit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte sot në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, për nisjen e procesit të vaksinimit kundër gripit, që filloi me personelin shëndetësor dhe kategoritë e rrezikuara të cilat do e përfitojnë falas.

“Këtë vit, edhe në kuadër të strategjisë tonë të vjeshtë-dimrit, edhe të kontrollit të sëmundjeve infektive, kemi arritur që në një kohë shumë të shpejtë të bëjmë të mundur sjelljen e vaksinës së gripit në muajin Shtator. Sot është dita e parë e nisjes së këtij programi, duke filluar me personelin shëndetësor”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë siguruar disa herë më shumë vaksina se një vit më parë.

“Bazuar edhe në rekomandimin e ekspertëve, ne ja kemi dalë të financojmë në kohë dhe të sigurojmë 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksinimin e kategorive të riskut, duke filluar nga personeli shëndetësor, duke vijuar me mësuesit, edukatorët, duke vazhduar me të sëmurët kronikë, me ata mbi 65 vjeç, fëmijët”, tha Manastirliu.

Përgjegjësja e Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se nga vaksinimi do të përfitojnë disa grupe risku dhe në këtë situatë të shkaktuar nga Covid-19, vaksinimi do të jetë një masë parandaluese që këto grupe risku të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë meqenëse qarkullojne paralelisht me Covid-19.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, deklaroi se ka mbërritur sasia e parë në kohë edhe pse në situatë pandemie dhe do të vijohet me ardhjen e dozave të tjera, sipas planit.

Vaksina kundër gripit është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale katër herë më shumë se një vit më parë dhe do të vijë të kryhet pas personelit shëndetësor edhe për grupet e tjera të riskut, falas, pranë qendrave shëndetësore, sipas një kalendari të përcaktuar nga vetë strukturat e shëndetësisë. Do të jenë mjekët e familjes që do të thërrasin personat e riskuar për kryerjen e vaksinës, sipas parashikimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat