Operacioni i madh ndërkombëtar në 34 vende, në Shqipëri 7 të prangosur dhe 8 të proceduar

Shqipëria

Operacioni i madh ndërkombëtar në 34 vende, në Shqipëri 7 të prangosur dhe 8 të proceduar

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 17:07
Foto ilustrim

Finalizohet operacioni ndërkombëtar i koduar “SEE JAD”, i organizuar nga Europol.

Gjatë operacionit në Shqipëri, në PKK dhe vende të tjera të cilësuara me risk për kryerjen e veprave penale të mësipërme janë kontrolluar 2422 persona, 2032 automjete, 126 ambiente të ndryshme dhe 90 pako postare.

Po ashtu u arrestuan 7 shtetas shqiptar dhe të huaj, ndërsa 8 shtetas shqiptar dhe të huaj u proceduan në gjendje të lirë.

U sekuestruan 6 armë zjarri, nga të cilat 2 armë gjahu, 1 automatik, 3 pistoleta dhe 117 municione të ndryshme të armëve të zjarrit.

U kapën 2 persona në kërkim, një shtetas shqiptar i dënuar me 10 vjet burgim për trafikim të narkotikëve, një në kërkim ndërkombëtar, i shpallur në kërkim nga Kroacia, i dënuar 7 vjet e 7 muaj burgim për pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu u sekuestruan një sasi në paundë, lëndë narkotike cannabis dhe një sasi e vogël kokaine.

Po gjatë operacionit në pikat e kalimit iu është refuzuar hyrja në territorin e vendit tonë, 14 shtetasve të huaj, pasi nuk plotësonin kushtet.

Nga patrullat kufitare në Kapshticë dhe Kakavijë, në bashkëpunim edhe me FRONTEX-in, janë kapur 411 emigrantë të parregullt të kombësive të ndryshme, si dhe janë bllokuar në kufi 2 pasaporta të vjedhura.

Ndërsa në rang ndërkombëtar hetuesit sekuestruan 51 armë të llojeve të ndryshme dhe 47 kilogramë drogë e llojeve të ndryshme.

Operacioni kishte në fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e imigracionit të paligjshëm dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe drogës.

Në këtë operacion katërditor morën pjesë 34 vende, ndërmjet tyre dhe Shqipëria, agjencitë e BE-së si Europol, Eurojust, Frontex dhe partnerët ndërkombëtarë dhe institucionalë si INTERPOL, UNODC, PCC-SEE, CCWP, IPA/2019 kundër luftës ndaj krimit të rëndë dhe të organizuar në Ballkanin Perëndimor, SEESAC.

Në këtë operacion u përfshinë 8838 oficerë të Policisë, të rojës bregdetare, kufitare tokësore, detare dhe ajrore dhe agjentë doganorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat