KPA lë në fuqi vendimin, shkarkohet prokurori i Durrësit, Ferdinand Elezi

Shqipëria

KPA lë në fuqi vendimin, shkarkohet prokurori i Durrësit, Ferdinand Elezi

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 23:22
Ferdinand Elezi

KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e prokurorit të Durrësit, Ferdinand Elezi.

Elezi u shkarkua nga detyra pasi kishte probleme me pasurinë.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.35/2019, datë 31.07.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Ferdinand Elezi, kundër vendimit nr. 138, datë 09.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 138, datë 09.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ferdinand Elezi.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 30.09.2020.” – thuhet në njoftim.

Ferdinand Elezi është diplomuar jurist në fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1996.

Ai ka kryer gjithashtu Master të Nivelit të Dytë si dhe ka përfunduar studimet Doktorale në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2012.

Elezi e ka filluar karrierën në Prokurorinë e Kavajës në vitin 1999, ndërsa gjatë viteve 2003-2005 ka drejtuar Prokurorinë e Rrethit Durrës.

Në vitin 2005 ai është emëruar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2006.

Përgjatë viteve 2006-2013, Elezi ka kryer detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Prej vitit 2013 ai mban postin e Drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Durrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat