Edi Rama çon në Kuvend një draft anti-Kushtetues për Kodin Zgjedhor

Shqipëria

Edi Rama çon në Kuvend një draft anti-Kushtetues për Kodin Zgjedhor

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 06:04
Edi Rama

Edi Rama vazhdon të shkelë Kushtetutën me të dyja këmbët dhe duket se nuk do të ndalojë deri sa të kthejë ligjet në favor të tij, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

Pasi miratoi në Kuvend në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, sot duke përdorur deputetët ka propozuar një draft anti-kushtetues për ndryshimet në Kodin zgjedhor.

Rama dhe mazhoranca e tij, kanë propozuar sot që të miratojnë në Kodin Zgjedhor disa dispozita që bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Gjatë ditës së sotme në Komisionin e Ligjeve socialistët njoftuan se kishin depozituar disa amendamente të tjera për Kodin Zgjedhor, të natyrës teknike që rregullonin kryesisht gabime gjuhësore të nismave të propozuara.

Por në draftin që ka siguruar A2, këto ndryshimet nuk janë aspak teknike.

Sipas tyre, i jepet e drejta personave 100 vjeç e më shumë të votojnë. Kjo e drejtë i jepet dhe personave të shpallur me një vendim të formës së prerë, të pazotë për të vepruar.

Por kush quhet i tillë juridikisht?

‘Gjithmonë lidhet me qenien i paaftë mendërisht për të kuptuar pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të tij dhe heqja e zotësisë për të vepruar nënkupton që ai nuk mund të bëjë asgjë vetë. Juridikisht ai person nuk ekziston në kuptimin e qenies subjekt i së drejtës dhe të gjithë të drejtat që kanë të bëjnë me jetesën e tij i ushtron përmes kujdestarit. Sigurisht e drejta për të votuar nuk është një e drejtë që mund të ushtrohet përmes personave të tretë’, sqaron juristi Jordan Daci.

Përfaqësuesit e mazhorancës nuk e sqarojnë arsyen e këtij ndryshimi. Por ndalesa për këtë kategori ndodhet dhe në nenin 45 të Kushtetutës, e për t’i rikthyer të drejtën e votës duhet ndryshuar ligji themeltar.

Në rekomandimet e fundit, ODIHR e konsideronte shkelje të së drejtave të njeriut ndalesën për personat me aftësi të kufizuar mendore, e cila duhej rishikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat