Artan Shkëmbi mbante certifikatën më të lartë të sigurisë

Shqipëria

Artan Shkëmbi mbante certifikatën më të lartë të sigurisë

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 09:47
Artan Shkëmbi

Artan Shkëmbi, kreu i pezulluar i OFL, do të dalë ditën e sotme par Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tu njohur me masën e sigurisë.

Vendimi pritej të merrej ditën e djeshme por me kërkesë të të akuzuarit dhe avokatit të tij Artan Broci u shty për ditën e sotme.

Zv.drejtori i OFL-së është pezulluar nga detyra, pasi akuzohet se dekonspiroi operacionet e OFL-së dhe për korrupsion. Autoritetet gjermane informuan SPAK-un se një oficer i lartë i Policisë Shqiptare kishte nxjerrë sekretin. Për këtë arsye, SPAK-u i kërkoi Gjykatës së Posaçme pezullimin e zëvendësdrejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi.

Sipas hetimeve të nisura nga SPAK, Shkëmbi ka përdorur një program të koduar për dërgimin e mesazheve lidhur me një hetim për trafik droge të nisur nga Gjermania, i shtrirë dhe në Shqipëri.

Sipas hetimeve, rezulton se ai ka përdorur programin me pagesë për të nxjerrë të dhëna për rastin në fjalë.

Në shkurt të këtij viti, kur Shkëmbi ishte edhe kandidat për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit evidentoi probleme sa i takon kriterit të pasurisë por edhe në atë të pastërtisë së figurës ku Shkëmbi rezulton se ka qenë punonjës operativ në ish-sigurimin e Shtetit dhe se nuk ka plotësuar me korrektësi formularin e dekriminalizimit.

Pastërtia e Figurës– “Nuk ka denoncime ndaj tij apo procedime penale. Ka të dhëna që ka qenë punonjës i ish-Sigurimit të Shtetit. Nga verifikimet e kryera, rezulton se ka qenë punonjës operativ në ish-Sigurimin e Shtetit. Nuk ka plotësuar formularin e deklarimit në mënyrë të saktë”.

Aftësitë profesionale – “Niveli i arsimit përputhet me detyrën. Vlerësimet e punës në vite janë pozitive. Ecuria në karrierë është bërë sipas legjislacionit”.

Por pavarësisht këtyre, KJV e konfirmoi në detyrë Artan Shkëmbi.

Ndërkohë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit deklaronte se, Artan Shkëmbi mbante certefikatën më të lartë të sigurisë, CSP, niveli “Tepër Sekret”, lëshuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me shkresën e dates 10.07.2019, raporton Ora News.

“Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me shkresën nr. * prot, datë 10.07.2019, konfirmon se shtetasi Artan Pajo Shkëmbi është i pajisur me certifikatë sigurie CSP, niveli “Tepër Sekret”, me vlefshmëri nga 25.09.2018 deri 24.09.2023; Institucioni ligjzbatues me shkresën nr. ** prot, datë 5.8.2019, e klasifikuar sekret, informon Komisionin se pas verifikimeve të kryera për Artan Pajo Shkëmbin dhe lidhjes së tij familjare të përmendura në shkresë nuk disponon të dhëna; Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me shkresën nr.** prot, datë 11.7.2019, niveli i klasifikimit “Sekret”, informon Komisionin se pas verifikimeve të kryera rezulton se për shtetasin Artan Shkëmbi dhe personat sipas lidhjes familjare nuk janë të regjistruar për veprimtari kriminale.” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat