Çeka: Arsyeja pse Parlamenti i ardhshëm do t’i zhgënjejë qytetarët

Shqipëria

Çeka: Arsyeja pse Parlamenti i ardhshëm do t’i zhgënjejë qytetarët

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 21:58
Blendi Çeka

Blendi Çeka, profesor dhe një ndër studiuesit kryesorë të sistemeve zgjedhore në vend, komentoi në emisionin ‘Me pak fjalë’ propozimet e partive për listat e kandidatëve për deputetë. Në bisedën me Neritan Sejaminin, Çeka e quajti ‘të nxituar në tërësi’ diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Sipas tij, ky diskutim duhet të kishte nisur shumë kohë më parë dhe në të duhet të ishin përfshirë studiues e ekspertë, e veçanërisht të ishin studiuar më mirë të gjitha modelet e mundshme duke parë dhe shtetet e tjera. Çeka shpjegoi me pak fjalë problemet kryesore të dy modeleve të propozuara nga PS dhe opozita, PD e LSI:

“Kur flasim për lista të hapura, ka tre-katër nënkategori. Janë listat fleksibël që pak a shumë është propozimi që vjen nga Partia Socialiste, ku kanë zë paria dhe qytetarët, në teori. Në praktikë, nga vendet që e përdorin këtë model, probabiliteti është jashtëzakonisht shumë i ulët që një kandidat edhe pse mund të ketë vota, të ndryshojë radhën e partisë.

Ndërsa propozimi që jep Partia Demokratike është me lista të hapura ku tërësisht renditjen e kandidatëve e ofrojnë qytetarët. Një problem që mund të ketë është fakti që qytetari ka një zgjedhje dhe përmasat e rajoneve janë të ndryshme. Në modelet e listave të hapura, është se mbizotërojnë personat shumë politikë, që mund të jenë drejtuesit e partisë dhe me raste, personat shumë të fuqishëm lokalisht.”

Çeka parashikoi se me të dy modelet, përbërja e parlamentit nga zgjedhjet e 2021-it mund të jetë zhgënjyese për qytetarët: “Nesër në Parlament qytetarët do të kenë një lloj zhgënjim sepse nëse zbatohet formula e PS-së do të ketë me gjasa 1 ose 2 deputetë që mund të ndryshojnë radhitjen e partisë, ndërsa me formulën e PD-së do të kemi superdeputetë që janë zgjedhur me 60-70 mijë vota dhe gati gjysmën e Parlamentit të zgjedhur me 500-600 vota.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat