Java e pestë e mësimit, ja sa mësues dhe nxënës mungojnë çdo ditë në shkolla

Shqipëria

Java e pestë e mësimit, ja sa mësues dhe nxënës mungojnë çdo ditë në shkolla

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 15:09
Foto Ilustrim

Pavarësisht masave të rrepta në ambientet e brendshme të shkollave, qindra-mijëra mësues e nxënës nuk ia kanë dalë dot që të mos infektohen. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në katër javët e para të këtij viti shkollor numri i mësuesve që munguan përllogaritet mesatarisht rreth 120 në ditë.

Nga kjo shifër lidhen drejtpërdrejt me pandeminë rreth tetëdhjetë raste, që janë të prekur me Covid-19 apo janë vetëkarantinuar pas infektimit të familjarëve të tyre.

Pra, nuk është vetëm Covid ai që i ka lënë në shtëpi arsimtarët, por edhe shkaqe të tjera, midis tyre edhe personale. Numri i të infektuarve në raport me mungesat totale në shkolla, sa u përket nxënësve është i përmbysur.

Në javët e para të shkollës numërohen rreth pesë mijë mungesa në rang vendi, por lidhje me Covid (të infektuar apo karantinuar) kanë pasur një numër shumë i ulët, më pak se 1% e totalit. Në të dhënat që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar numërohen vetëm 40 fëmijë.

Sidoqoftë, numri i përgjithshëm i mungesave, sipas shifrave të Ministrisë, është më i ulët në raport me vitin e kaluar. Që nga dita e parë e fillimit të shkollës, më 14 shtator, e në vazhdim janë raportuar vazhdimisht raste sporadike të infektimeve të mësuesve e nxënësve në shkollat e vendit nga Veriu në Jug.

Por, përveç “Jeronim de Radës” në kryeqytet, ku u prekën me Covid 12 mësues kur ende nuk ishin hapur shkollat, ato kanë qenë në numër të kufizuar dhe raste të veçuara. Vlen për t’u përmendur edhe rasti i gjimnazit “Sami Frashëri” në Përmet, ku pas infektimit të pesë mësuesve, mësimi u pezullua vetëm për pak ditë për të rinisur normalisht me mësues të rinj.

Tashmë me vendim qeverie, rreth një mijë mësues nga portali i punësimeve “Mësues për Shqipërinë” janë vënë në dispozicion vetëm për të tilla raste. Duhet thënë që Shqipëria, ndryshe nga vendet e rajonit apo më gjerë, nuk ka ende asnjë shkollë të mbyllur si pasojë e pandemisë, ndonëse nxënësit futen sot në javën e pestë.

Ende pa lënë detyrën, ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka lënë gati skenarët drejt mësimit të kombinuar dhe atij online, në rast se do të nevojitet. E vetmja problematikë së cilës nuk i është gjendur ende një zgjidhje, janë radhët e gjata të prindërve pas kangjellave të shkollave, të cilët nxisin predispozitën për përhapjen e infektimeve.

Nga ana e saj, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë po marrin parimisht çdo masë për një proces të rregullt mësimor brenda ambienteve të shkollës. 2936 monitorime mbi respektimin e masave antiCovid numërohen të kenë kryer në strukturat arsimore parauniversitare ekspertët nga Inspektorati Shëndetësor Shtetëror.

1 MIJE mësues, midis tyre edhe praktikantë, ka vënë në dispozicion qeveria në gatishmëri për të mbuluar nevojat që mund të dalin si pasojë e infektimit të mësuesve me Covid-19

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat