Hakmarrje pas 14 vitesh/Zbardhet dëshmia e autorit që përplasi për vdekje djalin e vrasësit të babait

Shqipëria

Hakmarrje pas 14 vitesh/Zbardhet dëshmia e autorit që përplasi për vdekje djalin e vrasësit të babait

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 16:42
Foto Ilustrim

Një 41-vjeçar nga fshati Romanat i Durrësit është arrestuar nga Policia, pasi ka vrarë duke përplasur me makinë bashkëfshatarin e tij, djalin e personit që i vrau babanë para 14 vitesh.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës rreth orës 15:00, në fshatin Romanat, i cili ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të qytetit të Durrësit. Shtetasi Myslim Estrefi, 41 vjeç, përplasi me makinë bashkëfshatarin e tij (të afërm me njëri-tjetrin), Shaqir Estrefi, 57 vjeç.

Fillimisht, Myslim Estrefi e ka raportuar ngjarjen si aksidentale pranë Policisë, por hetimet kanë treguar se bëhej fjalë për një vrasje me dashje për hakmarrje, pasi 14 vite më parë, babai i viktimës, Qamil Estrefi, pati vrarë babanë e autorit, Zydi Estrefi.

Mësohet se në momentin e ngjarjes, 41-vjeçari ishte duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, pasi gjatë drekës kishte konsumuar alkool. Myslim Estrefi u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi dyshohet se përplasi qëllimisht shtetasin Shaqir Estrefi, 41 vjeç, për hakmarrje.

AKSIDENTI

Policia e Durrësit njoftoi pasditen e së shtunës për një aksident të ndodhur në fshatin Romanat, ku një 41- vjeçar kishte përplasur për vdekje me makinë bashkëfshatarin e tij, shtetasin Shaqir Estrefi. Sipas Policisë, Myslim Estrefi, në momentin që ka shkaktuar aksidentin me pasojë vdekjen, ishte në gjendje të dehur. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti Policia dhe ekspertët e aksidenteve rrugorë, të cilët nisën hetimet për ngjarjen, duke arrestuar drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin, Myslim Estrefin.

“Arrestimi i tij u bë pasi më datë 10.10.2020, rreth orës 15;00, në fshatin Rromanat, Durrës, duke drejtuar mjetin tip ‘Fiat’, në gjendje të dehur, ka goditur këmbësorin, shtetasin Sh. E., 57 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i cili, si pasojë e goditjeve të marra, ndërroi jetë”, sqaroi fillimisht Policia e Durrësit.

HAKMARRJA PËR TË ATIN

Nga hetimet, Policia zbuloi se nuk ishte një aksident automobilistik, por një përplasje e qëllimtë e autorit ndaj viktimës, 57 vjeç, duke marrë hak për babanë që ishte vrarë më armë zjarri nga i ati i viktimës 14 vite më parë.

“Falë veprimeve profesionale rezultoi se ngjarja e ndodhur nuk ishte aksident rrugor, por dyshohet vrasje me dashje për hakmarrje. Shtetasi M.I. dyshohet se ka goditur shtetasin Sh. E. për motive hakmarrje, pasi shtetasi Q.E. (babai i viktimës) në vitin 2006 ka vrarë shtetasin Z.I. (babai i të dyshuarit).

Si rezultat i këqyrjes së vendit të ngjarjes, provave të grumbulluara dhe veprimeve profesionale të kryera, bënë të mundur zbardhjen e shkakut të ngjarjes dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Myslim Estrefi, i cili akuzohet për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt'”, bëri të ditur Policia.

Ndërkohë, për të bërë dokumentimin sa më të plotë të kësaj ngjarjeje, Policia e Durrësit ka marrë edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës.

Kanë qenë këta të fundit, të cilët kanë insistuar duke thënë se vdekja e 57-vjeçarit nuk ishte aksidentale, por e qëllimtë nga ana e 41-vjeçarit. Ata kanë treguar konfliktin që kanë me familjen e Myslim Estrefit, atë të hasmërisë.

AUTORI: NUK DOJA TA VRISJA

Shtetasi Myslim Estrefi është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë së Durrësit për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e shtunë.

41-vjeçari është shprehur se hasmërinë me familjen e Shaqir Estrefit e kishin harruar dhe se nuk kishte për qëllim të vriste 57- vjeçarin. Sipas tij, ngjarja është aksidentale.

“Nuk doja ta vrisja Shaqirin, ka qenë një aksident. Ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë e kemi harruar të gjithë si familje, jeta jonë vazhdonte normale. Momentin e aksidentit nuk e kam vënë re Shaqirin, ishte duke ecur në rrugë ku kalojnë makinat”, është shprehur 41-vjeçari para oficerëve të Policisë.

Zbardhet konflikti i dy familjeve Estrefi, sherri për një gardh

Përplasja mes dy familjeve Estrefi në Romanat të Durrësit e ka zanafillën që prej se 20 vitesh për arsye pronësie. Familjet kishin ndezur një konflikt me njëra-tjetrën për një copë tokë, të cilën pretendonin se u takonte, aty ku edhe kishin vendosur një gardh ndarës.

Gardhi ka qenë molla e sherrit që degjeneroi më pas nga konflikt verbal në konflikt fizik dhe më pas deri në përdorimin e armëve. Konfliktet mes këtyre dy familjeve u bënë aq të shpeshta dhe të zakonshme, saqë në vitin 2006 situata agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Në përplasje e sipër, Qamil Estrefi qëllon me armë zjarri Zydi Estrefin, i cili, për shkak të plagëve të marra, ndërroi jetë në vend. Asokohe, Policia arrestoi shtetasin Qamil Estrefin si autor të ngjarjes dhe Gjykata e dënoi me disa vite burg për vrasjen e kushëririt. Pasi kreu disa vite burg, Qamil Estrefi u lirua nga qelia, por disa vite më vonë ndërroi jetë.

“Kjo ngjarja e ndodhur të shtunën e ka zanafillën këtu e 14 vite më parë. Mes dy familjeve, pavarësisht se nuk kishte pasur përplasje të tjerë pas vrasjes së ndodhur në vitin 2006, ato nuk kishin marrëdhënie me njëra-tjetrën. Shkak për konfliktin në atë kohë u bë një çështje pronësie”, tha për gazetën një i afërm i tyre.

Por, pavarësisht veprimit të drejtësisë, duket se 41-vjeçari Estrefi nuk e kishte harruar ngjarjen. Të shtunën, ai e ka parë Shaqir Estrefin duke ecur në këmbë në rrugë dhe e ka përplasur me makinën e tij teksa, sipas njoftimit të Policisë, ishte në gjendje të dehur.

Fillimisht e ka raportuar ngjarjen si aksidentale pranë Policisë, por hetimet kanë treguar se bëhej fjale për një vrasje me dashje për hakmarrje. Myslim Estrefi u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat