Mbani çadrën me vete! Parashikimi i motit përgjatë kësaj jave

Shqipëria

Mbani çadrën me vete! Parashikimi i motit përgjatë kësaj jave

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 06:35
Ilustrim

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, pjesa më e madhe e ditëve të kësaj jave priten të jenë me mot kryesisht të vranët, shoqëruar me reshje shiu.

Për ditën e sotme, e hënë, moti parashikohet fillimisht me vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formë shtrëngatash. Pas orëve të mesditës deri në orët e mesnatës – për shkak të kalimit të një sistemi frontal – reshjet e shiut fitojnë intensitet në të gjithë territorin. Ato bëhen të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë. Zona e jugut si dhe vija bregdetare parashikohen të kenë sasinë më të lartë të reshjeve (por problematike mund të jenë reshjet edhe në pjesë të tjera të territorit).

Duke nisur nga dita e martë deri në orët e mesditës së ditës së enjte moti do të jetë kryesisht me vranësira mesatare deri të dendura, por lokalisht nuk do të mungojnë edhe intervalet me diell. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive afatshkurtër.

Nga orët e mesditës së ditës së enjte e deri në orët e mesditës së ditës së premte moti në vendin tonë do të jetë njësoj si ditën e hënë. Moti do të jetë me vranësira të dendura dhe reshje shiu të vazhdueshme me intensitet mesatar dhe të lartë. Intensiteti i lartë nis fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat juperëndimore dhe veriperëndimore, për t’u shtrirë më pas në pjesën më të madhe të territorit. Si ditën e hënë, ashtu dhe atë të enjte dhe të premte këto reshje do të jenë në formën e stuhive e rrebesheve, shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Intensiteti i reshjeve bie pas orëve të pasdites së ditës së premte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat