Mësimi në pandemi/Si përllogaritet pagesa për orët shtesë të mësuesve, tri modelet e kompensimit financiar bazuar në kohëzgjatjen e mësimit

Shqipëria

Mësimi në pandemi/Si përllogaritet pagesa për orët shtesë të mësuesve, tri modelet e kompensimit financiar bazuar në kohëzgjatjen e mësimit

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 12:45
Foto Ilustrim

Me hedhjen e pagës së parë në këtë vit të pazakontë që mbajti më gjatë mësuesit në klasa, kanë lindur pretendimet e para për pagesën e orëve mbi normë.

Duke qenë se jo të gjithë janë mësues matematike dhe zërat kritikë për abuzime me mësuesit nuk janë pak, Ministria e Arsimit ka vendosur të bëjë transparencë duke publikuar tri modelet e përllogaritjes së pagesave bazuar në tri mënyrat e mësimdhënies në bazë të minutazhit të orëve: 45 minutëshe, 30 dhe 25 minutëshe.

Nga 28 mijë arsimtarë në të gjitha shkollat e vendit, rezulton se gjysma e tyre kanë qëndruar në shkollë më shumë se sa norma javore.

MODELET

Ndarja e klasave në dy grupe për shkak të pandemisë ka rritur ngarkesën e mësuesve si asnjëherë tjetër. Veç kushteve të vështira të mësimdhënies, me maska gjithë kohës, pa ujë e ushqim, mësuesit kanë zhvilluar mësim mesatarisht një orë në ditë çdo ditë, krahasuar me vitet e kaluara.

Por, edhe pse mësuesit detyrohen të përmbledhin brenda orës së shkurtuar të mësimit(25 apo 30 minutëshe) të gjitha konceptet që do të zhvilloheshin në një orë normale, ministria nuk vë shenjën e barazimit midis tyre.

Matematika është e thjeshtë. Pra, një orë 45 minutëshe nuk është e barabartë me atë 25 apo 30 minuta. Rrjedhimisht, një shumatore e orëve normale shkon 900 në javë, ndërsa të shkurtuarave 1200, që përkthehen në shtatë orë shtesë. Asnjë minutë më shumë.

E njëjta gjë funksionon edhe me modelet e tjera, sipas tabelës bashkëngjitur shkrimit. Ministria numëron rreth 14 mijë mësues të paguar për deri në shtatë orë suplementare, shuma e të cilave në një muaj kap shifrat e 8500 lekëve, pasi një e tillë paguhet nga 8 deri në 9 mijë lekë, sipas ministrisë. Por, sindikatat thonë se përfitimi është gati tre herë më pak, 250 lekë/orë.

Të njëjtën gjë thotë edhe udhëzimi i firmosur në 2016-ën, nga ishministri i Financave, Arben Ahmetaj, nr.4, datë 13.12.2016 “Për formën, elementët dhe plotësimin e borderosë së pagave për njësitë e qeverisjes së përgjithshme”.

Në kolonën për shtesën e pagës për orët mësimore mbi normë citohet: “Punonjësit mësimorë efektivë të arsimit parauniversitar, që për nevoja të procesit mësimor japin orë mbi normën mësimore, të lejuar me dispozita, paguhen për çdo orë mësimore: në shkollat e mesme 300 lekë, në shkollat 8-vjeçare 250 lekë”.

AKUZAT

Në ditët e para të muajit, sapo në llogaritë bankare të mësuesve u kryen pagesat për muajin shtator, opozita akuzoi Ministrinë e Arsimit se po u vjedh mësuesve orët shtesë.

Sipas ish-deputetes, Albana Vokshi, mësuesit kanë punuar thuajse dyfishin e orëve që iu takon dhe janë paguar për vetëm gjashtë orë mësimi.

Një keqinterpretim shifrash e ka cilësuar Ministria e Arsimit në kundër reagimin e saj mënyrën se si janë kalkuluar orët e qëndrimit në shkollë duke vënë në dispozicion tri modelet e lartpërmendura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat