Sfida elektorale, deputetët e Partisë Socialiste kalojnë në “test”

Shqipëria

Sfida elektorale, deputetët e Partisë Socialiste kalojnë në “test”

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 18:04
PS

Socialistët kanë nisur procesin e vlerësimit brenda partisë ndërsa na ndajnë 6 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në një kohë kur Edi Rama kërkon një mandat të tretë, ka nisur punën me skuadrën aktuale.

“Është një proces që ka ecur relativisht mirë deri tani,  Jemi në gati 70 % të shpërndarjes së zarfeve në të gjithë territorin e vendit. kemi një interes. madje jam i surpriza për pritshmëritë e mia në këtë fazë të parë. Çdo anëtar i partisë në momentin që futet në sistem, duhet të bëjë vlerësimin e grupit të deputetit të qarkut të tij ,për të cilat duhet të japë një vlerësim nga 1-5”, tha Arben Pëllumbi, sekretarI organizativ dhe i koordinimit elektoral në PS.

Po a do të jenë pikë referimi në hartimin e listave për zgjedhjet, rezultatet e prodhuara nga anëtarësia?

“Qëllimi është dyfish. Pra, edhe në radhë të parë të shikojmë se si grupi aktual i deputetëve si pritet dhe si vlerësohet nga strukturat e PS, dhe e dyta, me skuadrën e re që do të garojë në 2021”, shtoi ai.

Analisti Neritan Sejamini e lexon këtë si një strategji të kryesocialistit për të larguar nga partia kritikët.

“Duke përdoruar këtë mekanizëm, Rama mund të largojë  nga listat e deputetëve  të gjithë deputetë që nuk i duhen më, ose i kanë krijuar kosto politike. Nga ana tjetër, ai do t’i plotësojë ato vende bosh, apo do të harmonizojnë listën e kandidatëve me njerëz që vijnë nga jashtë partisë”, tha ai.  

Procesi i vlerësimit pritet të përfundojë në 25 nëntor. Por, ky nuk do të jetë i vetmi, pasi Partia Socialiste ka planifikuar që në të njëjtat filtra të kalojë edhe kabineti qeveritar, por këtë radhë vlerësimi do të jetë edhe nga qytetarët.

Ndërsa në fazën e tretë qytetarët mund të vetëpropozohen ose të propozojne figura që kanë impakt në zonën e tyre, për të qenë kandidatë potencial në zgjedhjet e 25 prillit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat