Rama në panik

Shqipëria

Rama në panik

Më: 17 tetor 2020 Në ora: 12:29
Edi Rama

Humbja e ekuilibrit etik nuk është një gjë e rrallë për Kryeministrin Rama. Prej kohësh ajo çka ai quan “pasion” është kthyer në një agresion verbal të palejueshëm  për çdo individ e lëre pastaj për një njeri me pushtetin e tij.

Shtrohet pyetja, çfarë e nervozon zotin Kryeministër kaq shumë sa mos të flasë i qetë e i relaksuar, kur gjithçka në dukje është kaq vaj, kur punët i ka më mbroth se kurrë, kur ligjet zgjedhore i bëri sipas asaj çka kishte ëndërruar prej vitesh? Pse zoti Kryeministër u hakërrehet gazetarëve, kolegëve, kundërshtarëve, pupacëve, surrogatëve, të gjithëve?

Agresioni i Kryeministrit në Opininon duhet parë në një kontekst kohor pak më të gjerë. Çdo veprim i tij në këto katër muaj (qysh nga Qershori i shkuar) është i motivuar vetëm nga paniku i humbjes. Ai nuk pyet më për marrëveshje në prani ndërkombëtarësh (05 Qershori), nuk pyet më për ndërkombëtarë, nuk pyet më për Bundestag apo Integrim!

Të gjitha këto u hodhën poshtë me ndryshimet Kushtetuese që ia ndalonin Opozitës koalicionin parazgjedhor. Aty ai mori frymë pak por siç duket sondazhet përsëri e nxirrnin humbës. U la të kuptohet ky disfatizëm në mbledhjen e Elbasanit ku vetë Edi Rama pohonte:

 “Nëse votimet do të ishin këtë të dielë Partia Socialiste nuk do t’i fitonte të gjithë zemrat e atyre që s’kanë votuar kurrë për kundërshtarët e saj”.

Pra, për herë të parë lideri i Rilindjes po pohonte rënie ndër ata që e kanë votuar historikisht Partinë Socialiste.

Qysh nga ajo ditë nuk ka pushuar retorika agresive, buliste. Fushata zgjedhore u polarizua sikur të ishim në ditët e fundit të saj. Presidenti dhe Kryeministri ishin gladiatorët.

Kaq shumë kishte kapur paniku Edi Ramën sa filloi të numëronte edhe votat e të dekoruarve! Hej, po vinte në hesap ndoshta 100 vetë, maksimumi, njeriu që vetëm dy muaj më parë u kishte humbur me Kushtetutë mbi 50 mijë vota kampit kundërshtar përmes copëzimit të votës nga ndalimi i koalicioneve parazgjedhore!

Ndërkohë, për vete e ka lëshuar pa duar ekonominë e vendit. Ai është në makth për vota. Ja veprimet që e dekonspirojnë tmerrin e tij nga zgjedhjet e ardhshme:

1.

Para dy muajsh hoqi tatimin e fitimit për biznesin me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë (110 mijë Euro) dhe heqjen e TVSH-së për biznesin me xhiro deri në 8 milionë lekë (65 mijë Euro). Vini re hipokrizinë. Para dy vjetës e uli kufirin nga 5 milionë në 2 milionë kufirin e biznesit që i nënshtrohej TVSH-së.  Atëherë nuk kishte zgjedhje, atëherë gjendja ekonomike ishte e qëndrueshme, as tërmeti nuk kishte rënë e as pandemia nuk kishte. Ndërsa tani, me gjithë situatë pranë katastrofës ekonomike, vendos t’i përjashtojë nga kjo taksë të gjithë biznesmenët që kanë xhiro katër herë më shumë se limiti! A nuk është kjo një shenjë e tmerrshme paniku që për hir të votave po kërkon të shkatërrojë ekonominë?

2.

Vijoi në Tetor me heqjen e akcises shtetërore për naftën e fermerëve (çmim i përgjysmuar nga 150 lekë në 75 /litër). 80 mijë fermerë –tha Ministri Çuçi- do përfitojnë naftë me çmim të përgjysmuar me efekt 1 miliardë lekë. Pra, për 2700 ditë ua dha naftën me një nga çmimet më të larta në Evropë fermerëve dhe, vetëm në 100 ditët e fundit merr vendimin t’ua përgjysmojë!

A është kjo hipokrizi? A do ta besojnë 80 mijë fshatarët përfitues këtë? As Kryeministri nuk e beson këtë. Por t’a hajë kush ta hajë, ne do bëjmë grafikët, për ato jemi mjeshtra.

3.

Vendimi për rritjen e pagave për Shëndetësinë dhe Arsimin, respektivisht në masën 15 dhe 40%  me në efekt vjetor për 65 milionë Euro! Veç për krahasim, çdo vit rritja e fondit tëp agave për këta sektorë ka qenë 11,5, në vitin e fundit, ose më saktë në 100 ditëshin e fundit shkon 65 milionë ose 6 herë më shumë! Nga do i gjejë këto para asnjë fjalë. Armata e mësuesve dhe infermierëve duhet të ndjejnë dorën e ngrohtë të Partisë dhe të na shpërblejnë me ndonjë votë…

Të treja këto vendime u morën në sfondin e pandemisë dhe në kushtet më të këqija ekonomike të vendit të paktën qysh prej ’97!

Prandaj Rama ishte nervoz mbrëmë, prandaj humbi totalisht kontrollin. Ai ka kuptuar që numrat janë kundër tij. Kjo e ka bërë të humbë busullën ekonomike e psiqike duke vërshyer në vendime alogjike që do t’i kushtojnë të ardhmes së vendit. Atë e tërbon më së shumti e vërteta, fakti, pyetja. Gjithçka është kundër tij, edhe kolegët e Partisë janë shmangur si minjtë që ndjejnë anijen që po mbytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat