“Ligji Antimafia”/ Si do të filtrohen koncesionet, PPP, tenderët dhe licencat

Shqipëria

“Ligji Antimafia”/ Si do të filtrohen koncesionet, PPP, tenderët dhe licencat

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 09:05
Lulzim Basha

Ekspertët e Partisë Demokratike kanë amenduar “Ligjin Antimafia” dhe sipas kryedemokratit Basha, do të jetë ligji i parë që do të miratohet në qeverisjen e tij.

Pas një jave denoncimesh dhe akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama për mos implementimin e paketës me 5 pika për rimëkëmbjen e ekonomisë, dje Basha shpjegoi se si do të anulojë koncesionet, PPP, licencat dhe tenderët që dyshohet se janë korruptivë. Gjatë konferencës së djeshme, Basha tha se pas miratimit të ndryshimeve në ligj do të anulohen menjëherë dhe do të sekuestrohen pasuritë e privatit dhe zyrtarëve. “Anulimi dhe shfuqizimi i aktit apo kontratës publike, që do të thotë se një kontratë, që akoma vazhdon të konsiderohet e vlefshme, ndonëse ka qenë e pavlefshme që në momentin që është lidhur, si hap i parë do të anulohet zyrtarisht. Konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve publikë të përfshirë në procedurat e nënshkrimit apo miratimit të akteve ose kontratave publike. Konfiskimi i plotë apo i pjesshëm i pasurisë së paluajtshme publike të tjetërsuar së bashku me investimet e kryera në të. Konfiskimi i vlerës së plotë apo të pjesshme të fondit financiar të përfituar, pavarësisht nëse nuk është kryer apo jo shërbimi. Detyrimi për të rikthyer pasurinë e paluajtshme publike në gjendjen që ishte përpara nënshkrimit apo miratimit të aktit, apo kontratës publike dhe përjashtimi i kompanisë nga çdo procedurë konkurruese publike, ose punë apo shërbim publik për një periudhë 20 vjeçare”, tha Basha.

HETIMI DHE SEKUESTRIMI

I gjithë procesi sipas kryedemokratit do të kalojë në tri hallka. E para do të jetë qeveria që sipas kryedemokratit dikasteri që do të angazhohet në këtë punë do të ketë të gjithë kapacitetet e nevojshme për verifikimin e kontratave të dyshuara, më pas do të jetë SPAKu që do të bëj hetimin, ndërsa barra e provës do t’i takojë privatit dhe në fund do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale. “Ju thashë për subjektin e zbatimit të masave, janë personat dhe kompanitë private, janë zyrtarë të çdo niveli të përfshirë në këto afera. Zbatimi i masave do të kalojë nga tri hallka. Hallka e parë i takon qeverisë. Është qeveria e para, e cila me një strukturë të veçantë do të ketë detyrën e verifikimit. Do të jetë një nga dikasteret më të fuqishme, do të thotë të ketë burime njerëzore, fondet dhe ndihmën dhe ekspertizën ndërkombëtare dhe do të jetë prioritet politik numër një. Kjo do t’i kalojë pastaj për hetim Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-ut dhe natyrisht vendimmarrja do të jetë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Barra e provës me mekanizmin antimafia, nuk është te prokurori, por është te kompania private dhe te zyrtari, që ka miratuar kontratën apo aktin publik”, tha kryedemokrati Basha

Ligji i cili do të amendohet, do të ketë edhe fuqi prapavepruese, ndërkohë kreu i PD-së tregoi se cilat do të jenë subjekte të ligjit. “Kushtet për zbatimin e masave parandaluese dhe goditëse janë që kontratat apo aktet publike, të cilat dyshohen të jenë në kundërshtim me ligjin, të jenë shkelje të procedurave konkurruese publike, të jenë në shkelje të parimeve të përzgjedhjes, që janë trajtimi i barabartë, është transparenca në procedurë, është barazia në detyrime, si rrjedhojë e akteve të dyshuara korruptive apo pasojë e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët publikë përgjegjës. Këto janë kriteret që automatikisht do t’i çojnë këto kontrata, qofshin koncesione, qofshin tenderë, qofshin PPP apo të ashtuquajtura koncesione dhe PPP, automatikisht do t’i fusim në procesin e verifikimit, hetimit dhe vendimmarrjes në këto tri hallka”, tha kryedemokrati Basha. KONFISKIMI I PASURIVE Por çfarë do të ndodh me pasuritë që do të konfiskohen pasi të realizohen të trija hallkat që parashikon ligji antimafia? “Së pari, paratë e përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste, u kthehen qytetarëve, i kthehen buxhetit të shtetit, i kthehen pasurisë publike qytetarëve. Pasuritë publike të përfituara në mënyrë publike dhe klienteliste, po kështu u kthehen qytetarëve edhe kur nuk janë fonde apo nuk janë financa. Kompanitë private përgjigjen me pasurinë e tyre për përfitime abuzive. Zyrtarët publikë përgjigjen me pasurinë e tyre personale për abuzimet me pushtetin”, tha Basha. Ndërkohë, Basha ftoi të gjithë aktorët politikë që kërkojnë ndryshimin për t’u bërë bashkë për të maksimalizuar fitoren më 25 prill të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat