Apeli i ambasadorit Soreca: Duhet punuar për zgjedhje të lira e të ndershme

Shqipëria

Apeli i ambasadorit Soreca: Duhet punuar për zgjedhje të lira e të ndershme

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 09:33
Luigi Soreca

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi dje se Shqipëria duhet të përmbyllë me sukses dhe konsensus ndërpartiak fazën e fundit të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme, për të shpresuar në një vendim pozitiv për konferencën ndërqeveritare brenda këtij viti.

Nga qyteti i Kukësit, Soreca u shpreh se puna për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk duhet të ndalë në asnjë moment dhe se në këtë aspekt, nuk do të mungojë në asnjë moment mbështetja e Bashkimit Europian.

Gjithashtu ai përsëriti qëndrimin e tij se vazhdimi pa konsensus i përgatitjeve për zgjedhjet është një zhgënjim dhe se në këtë pikë duhet të merret shembull nga ajo që u arrit në 5 qershor.

 “Marrëveshja e 5 qershorit është një hap i rëndësishëm. Shqipëria shpresoj të bëjë segmentin e fundit me qëllim që komisioni të marrë vendimin për konferencën ndërqeveritare ndoshta në fund të këtij viti. Ju e dini qëndrimin e BE-së për reformën zgjedhore. Ne kemi punuar për marrëveshjen dhe u përmbush kushti për administratën zgjedhore. Ne kemi shprehur keqardhjen që maxhoranca vijon punën pa konsensus dhe është e rëndësishme që të gjendet konsensusi mes palëve. Duhet të punojnë fort që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”, u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë.

Luigi Soreca ishte dje në qytetin verilindor të Kukësit për linçimin e fushatës “Europa është këtu për mjedisin dhe klimën”.

Deklaratat, ai i tha gjatë takimit për prezantimin e fazës së dytë të fushatës “Europa është këtu” në prani të autoriteteve vendore, organizatave mjedisore, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe medias.

Fushata “Europa është këtu” për mjedisin do të shpjegojë në javët e ardhshme se si BE-ja po e ndryshon tashmë Shqipërinë, përmes angazhimit të saj në çështjet e ndotjes së ajrit, përdorimit të pesticideve, trajtimit të mbetjeve, cilësisë së lumenjve dhe biodiversitetit.

Në fjalën e tij, ndër të tjera kreu i delegacionit të BE-së theksoi peizazhin e pasur natyror dhe biodiversitetin e rajonit si një bazë e shkëlqyer për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe kërcënimin nga mbeturinat dhe ndotja.

Ai gjithashtu njoftoi për 30 milionë euro të tjera ndihmë financiare të BE-së për mjedisin dhe ndryshimin klimatik (2021), duke përfshirë investimet në strukturat e integruara të menaxhimit të mbetjeve që do të përshpejtojnë ekonominë qarkulluese.

VARHELYI: SHQIPËRIA, MË PRANË SE KURRË HAPJES SË NEGOCIATAVE

Komisioneri Varhelyi theksoi nga Parlamenti shqiptar disa ditë me parë se edhe zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit do të jenë një test shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.

“Kam mirëpritur rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 për zgjedhjet, e cila zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin te këto reforma të domosdoshme të Shqipërisë, përfshirë reformat që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit. Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Na duhet një reformë e besueshme zgjedhore, në bazë të së cilës të kemi zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Varhelyi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat