Grabitja në aeroportin e Rinasit, dërgohen për gjykim 8 të pandehur

Shqipëria

Grabitja në aeroportin e Rinasit, dërgohen për gjykim 8 të pandehur

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 10:44
Foto Ilustrim

Sipas News24, organi i akuzës ka vendosur të marrë si të pandehur vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Në dosje për gjykim do të shkojnë edhe Talo Çela, Oltian Veseli, Renaldo Sula, Saimit Cela, Elton Pikli si edhe Alkond Bengasi, raporton News24.

Ndërkohë mësohet se është pushuar çështja për Ragip Hajdinin, i njohur si ‘daja’, pasi ndërroi jetë pak kohë më parë, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Si u zbulua gjithë grupi nga gjurma në furgon

Identifikimi i Alkond Bengasit përmes një gjurme gishti në furgonin “Hetimi Tatimor” e më pas bashkëpunimi i tij me prokurorët, çoi në zbardhjen e pothuajse të të gjithë emrave të personave që morën pjesë në mënyrë direkte e indirekte në grabitje.

Duke qenë se Bengasi ishte një ndër personat që kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit që u përdor në grabitje, ai kishte lënë gjurmë, edhe pse pjesa më e madhe e tyre ishin fshirë.

Por ekspertët që kanë bërë këqyrjen e furgonit, që i shpëtoi djegies në vendin ku u vra Admir Murataj, kanë konstatuar me sy të lirë një gjurmë gishti në pasqyrë. Ajo u fiksua në pasqyrën e brendshme, që ndodhet te mbrojtësja e diellit, në krahun e djathtë të furgonit. “Gjatë këqyrjes së automjetit me targë AA 248 KE, ndër të tjera ka rezultuar se në perden e diellit të anës së djathtë është konstatuar me sy të lirë gjurma daktiloskopike.

Nëpërmjet aktit të ekspertimit të kryer dy ditë pas grabitjes, më 11 prill 2019 ka rezultuar se në objektin e ekspertimit, fiksuar si provë materiale gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u përftua një gjurmë papilare e vlefshme për identifikim, e cila u shënua me germën ‘A’”, përshkruhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat