Rama darkë private me ministrin Dendias: A mundet Shqipëria të negociojë çështjen greko-turke?!

Shqipëria

Rama darkë private me ministrin Dendias: A mundet Shqipëria të negociojë çështjen greko-turke?!

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 22:12
Edi Rama dhe Nikos Dendias

Greqia dhe Shqipëria kanë rënë dakord t’i drejtohen Gjykatës së Hagës për zgjidhjen e çështjes së detit. Lajmi u konfirmua sot nga vetë ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ai u shpreh besimplotë se kjo çështje do të zgjidhet në Hagë, ndërkohë paralajmëroi se gjërat po lëvizin në kahun e duhur edhe sa i përket heqjes së ligjit të luftës, një ligj mjaft i diskutuar dhe i debatuar në të dyja vendet. Në konferencën për mediat që pati me kryeministrin Rama, ministri grek nuk la pa “shigjetuar” Turqinë, e cila sipas tij, po ecën në kahun e kundërt me Bashkimin Europian.

“Një tjetër vend i rajoni tonë që është akoma vend kandidat për BE nuk po lëviz në këtë drejtim. Madje, lëviz në drejtim të kundërt. I referohem këtu fqinjit tonë, Turqisë. Ajo vazhdon të shkelë çdo ditë kriteret themeltare të integrimit në BE, qoftë politike, qoftë edhe ekonomike”, tha Dendias.

Pas kësaj deklarate, nuk mungoi reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili tregoi edhe njëherë lidhjen e ngushtë me Turqinë. Shefi i mazhorancës e falënderoi diplomatin grek në gjuhën helene, por nuk i kursen edhe një falënderim në turqisht.

“Efkaristo para poli, ejvallah”, dëgjohet të thotë në fund kryeministri Rama.

Drejtorja e lajmeve në Euronews Albania, Ilva Tare, bazuar në burime ka mësuar se kryeministri Rama do të ketë një darkë private me ministrin helen, ndërsa ngre pikëpyetje nëse Shqipëria po luan apo jo rolin e negociatores sa i takon konflikti mes Greqisë dhe Turqisë.

“Ejvallah!, Ka thënë Edi Rama, i cili gjithashtu do të ketë një darkë private me ministrin të Greqisë, Dendias, sipas burimeve të Euronews Albania sonte në mbrëmje. A po flitet për një ndërmjetësim në Shqipëri të çështjes greko-turke? Do të kuptojmë ndoshta më shumë gjatë ditëve të ardhshme”, thekson znj. Tare.

Gjithsesi në vijim priten të dalin detaje të reja në lidhje me këtë qasje të re të mundshme të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat