Ministri Lleshaj flet për problemet me sigurinë rrugore

Shqipëria

Ministri Lleshaj flet për problemet me sigurinë rrugore

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 10:12
Sandër Lleshaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e ka vënë theksin tek disa nga problematikat në sigurinë rrugore që shkaktojnë pasoja fatale për jetët e njerëzve.

Nga sistemet mbrojtëse për fëmijët e të rriturit, tek çiklistët e motoçiklistët, përdorimi i pajisjeve shpërqendruese në timon si telefoni celular, Lleshaj ka kërkuar nga policia kontrolle me përparësi dhe zbatimin e gjobave që janë në fuqi, deri në ndryshimin e Kodit Rrugor që do jetë më i ashpër.

Në një mbledhje me drejtuesit e sektorit të Policisë Rrugore në Shqipëri, në kuadër të zbatimit të masave për rritjen e sigurisë në rrugë, ministri tha se brenda pak javësh, në Kuvend pritet të shkojë paketa me ndryshime në Kodin Rrugor, e cila parashikon ashpërsimin e masave për një sërë shkeljesh.

“Sa i përket fëmijëve neglizhencat janë alarmante, shkelje masive, papërgjegjshmëria e rëndë, fëmijët duhen ruajtur me përparësi. Mosmbajtja e sistemeve të sigurimit për të rritur e fëmijët është një ndër shkaqet kryesore në rritjen e fataliteteve.

Nuk duhet lejuar kurrsesi abuzimi këtu e toleranca është me pasoja vrastare.
Tjetër cështje, masat mbrojtëse për ciklistët e motociklistët që është burim i madh i fataliteteve e aksidenteve. E shihni përditë si udhëtohet në Shqipëri, gjendja në këtë fushë është e rëndë, pjesa më e madhe nuk e kanë të shkruar në koshiencën që kur blen bicikletën të blejnë dhe masat mbrojtëse”.

Ministri i Brendshëm i bëri thirrje drejtuesve të motocikletave dhe bicikletave që me korsitë e dedikuara për ta, tani “nuk mund të futen në zonën e ngushtuar të automjeteve se rëndojnë trafikun e rrisin mundësitë e aksidenteve”.

Sa i takon përdorimit të alkoolit në timon, “përqindja e shoferëve që përdorin alkool mbetet ende i lartë megjithë masat e ndëshkimet. Duhet ulur ky tregues duke e orientuar punën aty ku është risku më i lartë për alkool nuk është në 8 mëngjesit, as 9 e 12, por janë orët e pasdrekës, ku mblidhen ata që mëkatojnë në fushën e alkoolit, lokalet e natës, e këtu duhet orientuar puna.

Përdorimi i pajisjeve corientuese, elektronike, që shpërqëndrojnë në makinë, kjo duhet po ashtu duhet të jetë në katalogun e përditshëm të kontrolleve. Deri sa të bëjmë ndryshimet në Kodin Rrugor që ti rrisim gjobat, duhet ti aplikojmë këto masa të vogla që kemi”.

Një tjetër problem që preku Lleshaj ishte parkimet dyshe, të cilat tha ai “duhen luftuar si virus nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat