Dyshimet për adresat, qeveria heq gjobën 10 mijë lekë, qendra e votimit me dëshirë

Shqipëria

Dyshimet për adresat, qeveria heq gjobën 10 mijë lekë, qendra e votimit me dëshirë

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 15:59
Sandër Lleshaj

Gjashtë muaj para zgjedhjeve qeveria shqiptare ka menduar t’i lë të lirë qytetarët për të ndryshuar vendbanimin e tyre dhe në rast të dëshirës së tyre mund të ndryshojnë edhe qëndren e votimit.

Madje me propozimin e dy deputetëve të mazhorancës është hequr edhe masa ndëshkimore prej 10 mijë lekësh, e përcaktuar me pak kohë më parë nga vetë socialistët.

Deputetët e opozitës e shikojnë si një lëvizje elektorale nga ana e mazhorancës.

Ralf Gjoni: “Une druaj se ky ndryshim vjen si pjesë e disa ndërhyrjeve për të kopsitur gjendjen civile dhe vendbanimin e shqiptarëve në prang të zgjedhjeve të ardhshme. “

Pas bastit për çmimin e makinës së re të tij, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj vendos një tjetër sfidë me deputetët e pakicës në sallë.

Sander LLeshaj: “Ne po përditësojmë adresën e vendbanimit, por nuk po prekim adresën e vendvotimit, që janë dy gjëra të ndryshme. Listat e votimit janë publikuar, ekstrakti i parë i tyre që më datë 5 tetor.

Dhe unë sfidoj cilindo që pretendon që ka ndryshime në këto, të shkojë të gjejë një rast, se këto janë të publikuara në të gjithë Shqipërinë, pranë çdo zyre të Gjendjes Civile ose pranë njësive administrative, keni dhe listat dhe shikoni që adresat e votimit, ose qendra e votimit të qytetarëve, është ajo që ka qenë, dhe nuk mund të ndryshojë pa kërkesën e qytetarit, dhe pa paraqitjen e dokumenteve që duhen për këtë punë.”

Madje Lleshaj paralajmëron edhe një paketë tjetër ndryshimesh, e cila sipas tij do t’ua bëjë të pamundur qytetarëve pa një adresë të marrin shërbimet elementare.

Sander Lleshaj:“Ne do të sjellim një paketë që kushtëzon çdo lloj shërbimi në Shqipëri me pasjen e një adrese të përditësuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.

Mungesa e këtij përditësimi do i bëj qytetarët të mos marrin shërbime elementare: Shkolla, spitali, banka. Nevoja për ta përditësuar procesin e formimit është e lartë, shqiptarët duhet të regjistrohen plotësisht, por kjo iniciativë synon në inkurajimin e tyre dhe jo në frenimin“

Ndryshimin e adresave nga ana e gjendjes civile, madje edhe brenda një familje, është cilësuar edhe nga PD si një vendim i dyshimtë, me argumentin se qeveria e Edi Ramës po kërkon të manipulojë zgjedhjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat