Çështja e detit në Hagë, reagon kryeministri i Greqisë: Kjo është mënyra se si shtetet serioze zgjidhin mosmarrëveshjet

Shqipëria

Çështja e detit në Hagë, reagon kryeministri i Greqisë: Kjo është mënyra se si shtetet serioze zgjidhin mosmarrëveshjet

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 18:15
Kyriakos Mitsotakis dhe Edi Rama

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka bërë një reagim për sa i përket vendimit të Greqisë dhe Shqipërisë për t’ju drejtuar Hagës për çështjen e kufirit detar.

Sipas mediave greke Mitsotakis komentet i ka bërë pas një takimi me presidentin qipriot Nicos Anastasiades dhe atë egjiptian Fatah al Sisi në Nikozia.

Ai tha se “kjo ishte mënyra se si shtetet serioze dhe të përgjegjshme zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre”.

“Kemi rënë dakord që meqenëse nuk mund të zgjidhim mosmarrëveshjet tona rreth caktimit të kufijve të Zonave Detare jemi të gatshëm t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është mënyra se si shtetet serioze dhe të përgjegjshme zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre” u shpreh Mitsotakis.

Kujtojmë se dy vendet morën vendimin për ta çuar në Gjykatën e Hagës çështjen e kufirit detar mes dy vendeve dy ditë më parë, pas takimit të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat