Rezoluta për antisemitizmin/ SHBA dhe BE përshëndesin miratimin nga parlamenti

Shqipëria

Rezoluta për antisemitizmin/ SHBA dhe BE përshëndesin miratimin nga parlamenti

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 20:02
Gramoz Ruçi

Parlamenti miratoi rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.

Rezoluta mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për avancimin e vlerave që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000.

Gramoz Ruci: Është një lajm  i  mirë që ne, shqiptarët dhe popujt e Ballkanit Perëndimor, rajonit që ka vuajtur si rrallë ndonjë kënd tjetër i botës, pasojat e pikëpamjeve e qëndrimeve etno-centriste e fetaro-centriste, i bashkohemi këtij veprimi emancipues të qytetërimit bashkëkohor: luftës kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që përgjatë historisë kanë mbrojtur hebrenjtë nga shfarosja dhe i mbështesin ata sot kundër stigmatizimit, kanë të drejtë të krenohen. Por më shumë të drejtë kemi ne, shqiptarët sepse Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atdheu ynë, Shqipëria, në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë.”

Taulant Balla: Modeli pozitiv i Shqipërisë ku individë me prejardhje, besime dhe raca të ndryshme kanë gjetur gjithmonë një shtëpi të sigurt edhe në periudhat më të egra të regjimeve diktatoriale është një inspirim për shumë popuj. Kjo ishte e dukshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria hapi kufijtë e saj dhe siguroi azil për refugjatët hebrenj që po largoheshin nga gjenocidi. Deri më sot, populli shqiptar krenohet me këtë akt të drejtësisë dhe gjithmonë i ka çmuar marrëdhëniet e tij me popullin hebre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetin e Izraelit.

Përkufizimi dënon ndjenjat e urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe jo hebrenj,  komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve, si edhe perceptimet denigruese ndaj tyre, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarde të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit. Miratimi i Rezolutës ndodh vetëm pak ditë para organizimit nga Parlamenti i Shqipërisë i Forumit të parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit. Ambasadorja e shteteve te bashkuara te Amerikes Yuri Kim dhe ai i BE-se Luixhi Soreka e përshëndeten miratimin e rezolutës nga parlamenti këtë te enjte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat