“A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK?”, Yuri Kim nxjerr detajet

Shqipëria

“A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK?”, Yuri Kim nxjerr detajet

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 23:30
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim u shpreh se hetuesit amerikanë janë pranë SPAK dhe BKH për të ofruar asistencë.

Pjesë nga intervista

Blendi Fevziu: Në fakt, Byroja Kombëtare e Hetimit do të ketë vetëm mbështetjen tuaj apo edhe asistencën tuaj? Pra, a ka asistencë të SHBA në ato dy institucione dhe nëse po, çfarë lloj asistence po u jepni?

Ambasadorja Kim: Kemi ofruar mbështetje shumë të forte në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjutera, duke u siguruar që të kenë pajisjet që iu duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK dhe BKH apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.

Blendi Fevziu: A ka hetues amerikanë të përfshirë në çështje konkrete në SPAK apo BKH?

Ambasadorja Kim: Ata janë aty për të ofruar asistencë teknike dhe këshilla eksperte. Kam një ish-agjent të FBI-së që është pjesë e personelit në ambasadë që ofron një pjesë të kësaj asistence. Por të jeni të sigurt, jemi aty për të mbështetur në maksimumin e mundshëm.

Blendi Fevziu: A mund të jetë më i shpejtë se sa është tani SPAK? Aq sa duam ne?

Ambasadorja Kim: Mendoj se duam që çdo gjë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur por duhet edhe të sigurohemi që, teksa ecin përpara, ta bëjnë këtë me themele të forta, sepse nëse nxiton ekziston rreziku për të dështuar. Dhe nuk duam të dështojnë. Përsëris edhe një herë: propagandë. Ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin pritshmëri tepër të larta që nuk mund të arrihen tani; mendoj se po krijojnë këtë përshtypje sikur reforma në drejtësi, BKH, prokuroria e posaçme, SPAK, janë si ndonjë film aksion.

Blendi Fevziu: Po, të gjithë e mendojnë…

Ambasadorja Kim: Po, një ditë zgjohesh dhe të gjithë kriminelët janë në rrjetë ose pas hekurave. Jeta reale nuk është ashtu. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Do të kërkojë kohë. Do të jetë e papërsosur. Do të ketë gabime rrugës, por e dini, duhet të këmbëngulim për të sepse ka të bëjë me të ecurit përpara, një gur mbi një gur për ta ndërtuar këtë sistem.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat