Shqipëri: Shqetësim largimi i fëmijëve dhe të rinjve si azilkërkues në BE

Shqipëria

Shqipëri: Shqetësim largimi i fëmijëve dhe të rinjve si azilkërkues në BE

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 00:43
Shqipëri

Në Shqipëri vijon të mbetet shqetësim fenomeni i azilkërkuesve në vendet e BE. Studiuesit shqiptarë, duke iu referuar të dhënave të Eurostatit, shohin me alarm largimin e të rinjve dhe të miturve. Analistët rendisin si shkaqe kushtet ekonomike dhe mungesën e së ardhmes për fëmijët. Autoritetet zyrtare thonë se e kanë të pamundur të ndalojnë largimin e fëmijëve të mitur pasi ata shoqërohen nga prindërit, ndërsa thonë se për të rinjtë kanë miratuar disa politika të reja punësimi. E megjithatë ata pranojnë se Shqipëria ende nuk i ka potencialet e pagesave si vendet e BE.

Kërkesat për azil kulmuan me 70 mijë në vitin 2015, ndërsa më pas vazhduan të ruajnë një mesatare prej 25 mijë kërkesash në vit. Studiuesit vënë re bazuar në të dhënat e publikuara nga Eurostat, se në vitin 2019, pati një rritje të lehtë me 5% të kërkesave për azil. Ajo që përbën sot shqetësim për ta, lidhet me grupmoshën e azilkërkuesve, ku dominojnë të rinjtë nën 34 vjeç me 78% të totalit të kërkesave dhe minorenët nën 14 vjec me 22% ose afro 6 mijë.

“Në 10 vitet e fundit sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara sipas grupmoshave janë larguar si azilkërkues rreth 57 mijë fëmijë nën 14 vjec. Shifër e frikshme. Është gati e pabesueshme, se si prindërit janë kaq të dëshpëruar sa jani gati të nisin fëmijët vetëm rrugëve të Europës”- shprehet për Zërin e Amerikës Ornela Liperi, Kryeredaktore e Revistës “Monitor”.

Autoritetet thonë se e kanë të pamundur të parandalojnë largimin e fëmijëve sepse ata shoqërohen nga prindërit apo të afërm të tjerë dhe s’mund të pikasen nga punonjësit gjatë kalimit të kufirit. Përgjegjësia penale ndaj prindërve sipas zyrtarëve nuk është aplikuar, sepse fëmijët nuk janë shpallur me vendim gjykate të braktisur dhe se sipas ligjit ata konsiderohen të shoqëruar nga prindërit. Sipas agjensisë shtetërore të mbrojtjes së fëmijëve për 2019-ën janë rivlerësuar 111 raste dhe janë riatdhesuar 77 fëmijë, të cilët janë dorëzuar në familje. Arsyet që deklarojnë fëmijët kur kërkojnë azil kryesisht janë ekonomike, ndërkohë për autoritetet shqetësim mbetet siguria e tyre.

“Fëmijët nuk janë ndjerë mirë kur kanë ikur. Është rrezikshmëria shumë e lartë. Mund të rekrutohen nga grupe kriminale. Është e vështirë për ta dhe kur rikthehen, sepse u duket se kanë humbur shpresën. Nga të dhënat kemi fëmijë adoleshentë që janë rikthyer dhe kanë probleme të mëdha të shëndetit mendor. Mund të jenë dhe abuzues të substancave narkotike. Janë shumë probleme komplekse me të cilat fëmijët emigrantë përballen atje”- thotë për Zërin e Amerikës Alma Tandili, Drejtoreshë e Agjensisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës.

Drejtori ekzekutiv i qendrës për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri Altin Hazizaj se prej vitesh në Shqipëri kujdesi ndaj fëmijëve mungon. Ai e konsideron të papranueshëm realitetin e fëmijëve azilkërkues.

“ Është më shumë një sinjal alarmi për qeverinë shqiptare. Është një sinjal alarmi për të gjithë kryetarët e bashkive, sepse janë këta përsona përgjegjës se pse sot fëmijët shqiptarë duan të largohen nga vendi i tyre, pse sot fëmijët shqiptarë nuk shohin asnjë të ardhme të mirë jetese në shtetin e tyre”- thotë për Zërin e Amerikës Altin Hazizaj, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

Një prej shqetësimeve kryesore për analistët mbetet dhe shifra e lartë e të rinjve azilkërkues. 78% e 25 mijë azilkërkuesve për vitin 2019 janë nën moshën 34 vjeç. Viktor Tafa aktualisht azilkërkues në Francë, thotë së ishin arsyet e forta ekonomike që e detyruan të largohet.

“Kam bërë lloj lloj punësh në Shqipëri. Nuk mbaj mend sa punë kam bërë, po më të ardhura shumë të pakta. Siç dihet pagat në Shqipëri janë të ulëta. Çfarë mund të bësh me 10 mijë apo 7 mijë lekë të vjetra në ditë që merrja. A mbahet familja me tre vetë, në një shtëpi me qera më këto pagesa. Si mund t’ja dilja unë. Si mund të mbaja familjen”- shprehet për Zërin e Amerikës Viktor Tafa, azilkërkues në Francë.

Studiuesja Nevila Xhindi mbështetet në disa të dhëna të BB kur thotë se 30% e shqiptarëve jetojnë në nivelin e varfërisë dhe se 50% e kësaj kategorie jeton në varfëri ekstreme. Shqetësim për të mbetet largimi nga vendi i të rinjve që përballen me pamundësinë e punësimit.

“61% thotë Banka Botërore e moshës 22 deri 29 vjeç janë larguar. Vendit i është larguar energjia, i është larguar mendja. I është larguar ekonomisë shqiptare konsumatori. Të mos harrojmë që të rinjtë janë konsumatorët më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Janë larguar ata që do japin taksa. Ajo që e ndjen më fuqishëm është jo vetëm familja shqiptare, pra në terma demografikë sigurisht largimi i të rinjve e dëmton popullsinë e ardhshme të këtij vendi. Por në terma ekonomikë është dërrmuese”- shprehet për Zërin e Amerikës Nevila Xhindi, studiuese, Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Autoritetet e pranojnë se Shqipëria nuk i ka potencialet e pagesave si vendet e BE, dhe shtojnë se janë hartuar disa politika punësimi për të rinjtë, sic janë paketat e nxitjes për bizneset që punësojnë të

sapodiplomuar, programe vetëpunësimi për që rinj që kanë ide novatore, apo dhe rritja e shërbimeve të ndërmjetësimit në zyrat e punës. Sipas Instat punësimi për grupmoshën 15-34 vjec është rritur afërsisht në 5 vite nga 38 në 50%. E megjithatë trendin në rritje të largimit të të rinjve nga vendi zyrtarët e shohin se pjesë lëvizjes së lirë.

“Ne besojmë dhe shohim që në të gjitha modelet e vendeve të Europës lëvizja e lirë e tregut është si të thuash në thelb të Europës së bashkuar. Pra nuk mund të themi se është gabim lëvizja. Ajo që ne duhet të bëjmë është përgatitja e të rinjve mirë, shkollat profesionale të kualifikuara, edukim cilësor, trajnime të mira, përgatitje për tregun e punës me të gjitha aftësitë që kërkon tregu sot, me qëllim që çdo individ që është i pajisur me këto aftësi mund të gjejë veten dhe në tregun kombëtar dhe në atë ndërkombëtar dhe mund të marrë atë pagesë që ai do donte të merrte”- tha për Zërin e Amerikës Elira Demiraj, Agjensia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim.

Analistët mendojnë se politikat e keqeversjes ndër vite e kanë e zbehur rolin e meritokracisë, dhe kanë forcuar punësimet partiake. Programet në shkolla në raport me tregun e punës mbeten ende të pabalancuara. Dhe për një vend si Shqipëria ku shifrat e rritjes ekonomike janë të ulëta, dhe borxhi publik i lartë, punësimi i të rinjve do të vazhdojë të mbetet një nga hallkat më të dobëta ndërkohë që kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga kriza që po shkakton Pandemia e Kovid 19./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat