Nishani: Shqipëria, në udhëkryq të rrezikshëm, ka nevojë për një tronditje të fortë

Shqipëria

Nishani: Shqipëria, në udhëkryq të rrezikshëm, ka nevojë për një tronditje të fortë

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 15:58
Bujar Nishani

Procesi unik që, këtë vit, vendosi ta aplikojë Partia Demokratike, me idenë e transparencës dhe shkuarjen te cilësia më e mirë e kandidatëve që do të garojnë nën logon e saj në këtë zgjedhje, e ka përmbyllur si fazë të parë komisioni, i cili e kishte marrë përsipër këtë mision.

Tashmë, numri i seleksionimeve, nga 3593 kandidatë të propozuar në fazën e parë, ka arritur në 326 kandidatë. Por cilat janë risitë e kësaj liste dhe si vijojnë etapat, pasi kjo listë bie në duart e kryetarit?

Për këtë çështje foli, në A2, Bujar Nishani, ish-presidenti i Republikës, pjesë e komisionit të vlerësimit të kandidatëve në PD.

“Ky proces ka treguar, jo vetëm që është një proces serioz, por është edhe një proces që është i harmonizuar midis disa aktorëve. Procesi nisi nga propozimet nga baza. Është hera e parë në Shqipëri që lidershipi i një partie politike ndan pushtetet në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Kanë qenë disa kritere jo të pakta, të bazuara në eksperiencën politike. Integriteti ka qenë një nga elementet kryesore. Kishim një revistë të qartë të tyre në lidhje me ligjin në të kaluarën dhe padyshim që ka pasur edhe një vlerësim të rëndësishëm për ndikim e tyre në zonë. Komisioni nuk ka shtuar emra të tjerë në lista dhe që nuk kanë pasur, le të themi, afirmimin e qytetarëve dhe njerëzve që janë në bazë. Ne nuk kemi bërë një gjykim mes të rinjve dhe të vjetërve.

Tashmë kjo listë do të kalojë në duart e kryetarit Basha, po a do t’i shpëtojnë polemikave të dorës preferenciale që kryetari i subjekteve politike ka vënë mbi listën finale? “Askush nuk mund ta mohojë, që në këtë shembull të PD, kemi për herë të parë sjelljen e shpërndarjes së pushtetit nga ana e kryetarit të partisë. Tashmë janë përzgjedhur 326 dhe deri tani kryetari nuk ka pasur asnjë rol për të luajtur. Nesër, kur kryetari do të përcaktojë listën finale, janë të detyruar të veprojnë brenda kësaj liste”, u shpreh Nishani.

Më tej, kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një tronditje të fortë politike pas 25 prillit. “Misioni i PD, por edhe i të gjithë opozitës, është historik sepse Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm. Shqipëria ka nevojë për një tronditje të fortë politike pas 25 prillit, për një reformim të fortë politik. Në këtë kontekst, PD ka filluar të prezantojë këtë vizion”, tha Nishani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat