4 mësues të shkollës “Isa Boletini” në Tiranë infektohen me Covid-19! Nxënësit vijojnë mësimin normalisht

Shqipëria

4 mësues të shkollës “Isa Boletini” në Tiranë infektohen me Covid-19! Nxënësit vijojnë mësimin normalisht

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 16:50
Ilustrim

E teksa shkollat janë ende hapur, raste të shumta raportohen çdo ditë, teksa masat nga ana e Ministrisë së Arsimit janë të papërfillshme.

Burime ekskluzive për “iconstyle” bëjnë me dije se në shkollën e mesme “Isa Boletini” janë infektuar 4 mësues. Kur ata janë izoluar, bëhet me dije se asnjë prej nxënësve nuk i është nënshtruar tamponit, pavarësisht se kanë qenë në kontakt të përditshëm me ta.

Po ashtu, shkolla nuk ka lëvizur as gurin më të vogël për të marrë mësues zëvendësues për ditët që stafi i infektuar do jetë në izolim.

As stafi pedagogjik nuk i është nënshtruar tamponit edhe pse kanë ndarë vendin e punës me kolegët e tyre. kryerja e tamponit mbetet një problmatikë e rëndësishme në vendin tonë, sidomos tani që pritet të hapen edhe Universitetet.

Denoncime të shumta kanë mbërritur në redaksinë tonë, ku na raportohet se edhe në shkollat më në zë të Tiranës ka mungesë të theksuar të kushteve dhe masave mbrojtëse të pandemisë, siç janë mungesa e dezinfektantëve për duart që supozohet të bëhet çdo mëngjes në hyrje të shkollës.

Edhe dezinfektimi i ambienteve bëhet ose një herë në ditë ose nuk bëhet fare, ndryshe nga ç’parashikon rregullorja e Ministrisë së Arsimit.

Ditën e djeshme u raportua se  në shkollën fillore ‘Shote Galica’ në Fushë- Krujë ka rezultuar me Covid-19 një nxënëse në klasën e tetë duke shkaktuar frikë dhe panik të bashkëmoshatarët e saj.

E infektuara ka qenë me temperaturë 39 gradë ndërsa termometri i shkollës tregonte 34 gradë.

Kushtet në institucionet e arsimit

Rujtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, janë dy kushtet bazë për të mos u rrezikuar nga infektimi me Covid-19. Disa drejtues shkollash në shtetet fiqnje si për shembull në Itali, kanë ngritur shqetësimin se në shumë institucione distanca nuk mund të ruhet, sepse nuk ka klasa mjaftueshëm dhe nuk janë siguruar banka një vëndëshe për nxënësit. Për këtë arsye ata kanë kërkuar shtyrjen e hapjes së shkollave deri sa gjithçka të jetë në rregull, ndërsa në vendin tonë duket se kjo gjë nuk i shqetëson aspak drejtuesit.

Zhvillimi ynë nuk mundet kurrsesi të krahasohet me atë të shteteve fqinje, ndaj nuk mund të mendojmë se ne i kemi marrë të gjitha masat për ruajtjen e distancës. Të gjithë e dimë se shkollat në vendin tonë kanë kaluar përtej kapaciteteve dhe për këtë arsye qeveria u detyrua të vendosë që orari mësimor të zhvillohet me 4 turne gjatë kësaj kohe. Për nxënësit që duhet të studiojnë gjatë turnit të fundit me siguri mësimdhënia nuk do të rezultojë aspak efektive, sepse kjo gjë është e vërtetuar edhe shkencërisht se rendimenti bie me kalimin e orëve.

Sakaq, shumica e shkollave në Shqipëri prej kohësh nuk sigurojnë as kushtet më minimale të higjienës, si mungesa e ujit të rrjedhshëm, sapunëve e detergjentëve të tjerë. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë detaj në lidhje me këtë gjë, duke u shprehur vetëm se shkollat që nuk sigurojnë kushtet nuk do të hapen. Sa do të ndodhë kjo gjë pritet ta shohim.

Skenarët për mbyllje

Pak ditë më parë u raportua se Ministria e Arsimit, pas rritjes së rasteve të reja dhe kthimit të shkollave në vatra infeksioni po mendon mbylljen e shkollave dhe skenarët për vijimin e mësimit. 

Nëse do të ketë rritje të numrit të të infektuarve në shkolla, Ministria e Arsimit pritet të zbatojë skenarin numër dy, që një pjesë e klasave të bëjnë mësim miks, duke u alternuar disa klasa mësim në shkolla disa online.

Ndërsa skenari më i keq është që mësimi online të shtrihet në të gjitha shkollat  e vendit, por gjithmonë kjo do të jetë në varësi të situatës së të infektuarve në këto institucione por edhe në mbarë vendin.

Sipas Ministrisë së Arsimit, për t’i paraprirë çdo lloj situate, është ngritur platforma akademia.al, e cila do të ofrojë mësim të unifikuar. Ndërkohë që brenda javës që vjen mbyllet trajnimi i rreth 19 mijë mësuesve për mësim online.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat