Mustafaj flet për emrat e kandidatëve për deputetë: S’kemi pasur presion nga PD

Shqipëria

Mustafaj flet për emrat e kandidatëve për deputetë: S’kemi pasur presion nga PD

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 18:45
Besnik Mustafaj

Ish-ministri i Jashtëm, pjesë e Komisionit të Përzgjedhjes së Kandidatëve për Deputetëve të PD Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, i pyetur në lidhje me faktin se disa emra të rëndësishëm të Partisë Demokratike nuk janë në listë, deklaroi se doktor Halim Kosova ka dhënë vetë dorëheqjen.

“Zoti Halim Kosova është tërhequr vetë, është dorëhequr, përmes një mesazhi që i është dërgua kryetarit të partisë, andaj ai nuk është futur në listën tonë. Unë as do iu konfirmoj emër dhe as nuk iu mohoj. Nuk japim ne emra, është në tagrin e Kryesisë që të japë emrat. Është një proces me integritet”, tha Mustafaj.

Besnik Mustafaj theksoi se në përzgjedhjen e emrave ka pasur disa standarde profesionale dhe nuk ka pasur kurrfarë ndërhyrje nga lideri i partisë.

“Procesi besoj se është me integritet, i përzgjedhjes së kandidatëve. Unë dhe personat e tjerë që merren me zgjedhjen e kandidatëve, nuk kemi pasur asnjë presion nga Partia Demokratike. Jam nisur nga parimi që kemi listë sa më përfaqësuese të PD-së.

U hodhën themelet e një tradite, që në legjislaturën tjetër të jetë akoma më e mirë. Kam qenë kritikues i listës së 2017, ndërsa tani të gjitha emrat janë propozuar nga baza. Të gjithë janë zgjedhur nga një komision autonom”, u shpreh Mustafaj.

Duke folur për faktin se presidenti Meta ktheu në parlament ligjin për Kodin Zgjedhor, Mustafaj tha se kreu i shtetit është në anën e mirë të historisë.

“Dëmi kryesor i ligjit zgjedhor, është tek shkelja e marrëveshjeve, të janarit, por edhe të qershorit. Me siguri që presidenti Meta është këshilluar me juristët e zyrës presidenciale dhe ka marrë okej-n. Ky do jetë ligji më i vështirë për t’u kthyer. Presidenti Meta është në anën e mirë të historisë, sepse është në anën e një marrëveshjeje të të gjitha forcave politike.

Duke mbështetur marrëveshjen e 5 qershorit, Meta përpiqet të ruajë parimet që shprehen edhe parterët ndërkombëtarë. Edi Rama po përpiqet të shkatërrojë sistemin zgjedhor. Koalicioni opozitar dilte fitues, e PS dilte humbëse, e prandaj Rama e shkatërroi sistemin zgjedhor”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket deklaratës së kryeministrit Edi Rama për dërgimin e çështjes së detit në Hagë, Mustafaj u shpreh se kryeministri nuk e ka konsultuar këtë çështje me presidentin, sepse ai mendon se është vetë ligji.

“Çështja e detit për dërgim në Hagë u tha nga kryeministri. Nuk mundet që kryeministri ta thotë se do ta çojmë në Gjykatën e Hagës. Përpara se ta thoshte me palën greke, duhet ta konsultonte me presidentin, duhej të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Presidenti e Këshilli i Sigurisë Kombëtare e kryetari i Kuvendit duhet që të binin dakord, por Edi Rama kujton se është ai ligji. Është çështje komplekse, çështje e topografisë etj”, përmbylli Mustafaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat