Spiropali: Meta flet si “Agimi i Artë”, halli më i madh i opozitës është Reforma në Drejtësi

Shqipëria

Spiropali: Meta flet si “Agimi i Artë”, halli më i madh i opozitës është Reforma në Drejtësi

Më: 24 tetor 2020 Në ora: 07:26
Elisa Spiropali

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot se halli i parë dhe më i madhi i opozitës është Reforma në Drejtësi.

E ftuar në emisionin “Java në RTSH”, Spiropali tha se, “shqiptarët e dinë se kush është Edi Rama dhe sa më shumë shan e fyen opozita aq më shumë votohet Edi Rama”.

“Ne kemi fituar mandatin e parë qeverisës në 2013 dhe një betejë edhe më të fortë në 2017 dhe besoj se 2021 do të jetë një përgjigje përfundimtare për ata që nuk nxijnë vetëm Edi Ramën, por duan të nxijnë këtë vend”.

Për presidentin Meta, Spiropali tha se, “Presidenti i Republikës ka dalë nga të gjithë binarët institucionalë, por edhe në sjelljet e tij të përditshme i bën dëm modelit qytetar në vend, për nga gjuha që përdor, për nga etika, për mesazhet që jep, që shpesh herë ngjajnë me gjuhën e Agimi të Artë dhe për faktin se Presidenti i Republikës duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Pra në të gjitha pikëpamjet institucioni i Presidentit është një institucion që na turpëron”.

“Institucioni tjetër i rëndësishëm, është opozita shqiptare e cila duhet ta ushtrojë funksionin e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Ne jemi Republikë parlamentare. Duhet të përfaqësojë në atë Kuvend qytetarët që e kanë votuar. Po ashtu doli nga binarët, doli nga institucioni. Mendoi se mund të krijojë një kaos institucional dhe të shkatërrojë rendin kushtetues duke braktisur Kuvendin dhe duke bojkotuar zgjedhjet vendore. I bëri llogaritë gabim, dukshëm, në një bashkëpunim me Presidentin e Republikës për shtyrjen e zgjedhjeve, përcaktimin e një date tjetër. Hasi në kundërshtinë e fortë të partnerëve tanë. Po dhe në vendosmërinë e kësaj mazhorance dhe Kryeministrit për të mos çeduar përsa i përket shtyllave të shtetit. Zgjedhjet u bënë dhe ky është rezultati. Opozita jashtëparlamentare është tani në rrugë. Nuk ka deputetë, nuk ka këshilltarë, nuk ka kryetarë bashkish. Është totalisht e papërfaqësuar për shkak të papërgjegjshmërisë së saj nga fillimi në fund”, tha Spiropali në studion e emisionit “Java në RTSH” me analistin Lorenc Vangjeli dhe gazetaren Megi Mëhilli.

Deputetja socialiste shtoi se “në zgjedhje do ta shohim sesa pushtet moral ende ushtron opozita, media etj. Por fakti është që janë jashtë institucioneve dhe që kanë zhbalancuar vërtetë raportet e institucioneve në Shqipëri për halle të tyre. Halli i parë dhe më i madhi, Reforma në Drejtësi. Ne nuk i kemi kapur institucionet e drejtësisë, përkundrazi ne i kemi ç’kapur. Kemi hequr duart e politikës nga institucionet e drejtësisë. Institucionet e drejtësisë kanë qenë të kapura dhe kanë siguruar në këtë vend pandëshkueshmërinë e politikanëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat