“Kur një grek të shtrëngon dorën, shiko sa gishta të kanë ngelur”, marrëveshja e detit në këmbim të minoritetit

Shqipëria

“Kur një grek të shtrëngon dorën, shiko sa gishta të kanë ngelur”, marrëveshja e detit në këmbim të minoritetit

Nga: Redi Shehu Më: 24 tetor 2020 Në ora: 10:51
Redi Shehu

Vizita e ministrit të Jash tëm grek, Nikos Dendias në Tiranë, shënoi një stacion të radhës në marrëdhëniet kaq të paqarta shqiptarogreke, të mbuluara shpesh me tisin e hipokrizisë si marrëdhënie të shkëlqyera mes dy popujsh miq. Këta tanët, e kam fjalën për dy popujt, duhet të jenë vërtet popujt më të çuditshëm në botë, të cilët janë në të njëjtën kohë miq dhe po në të njëjtën kohë ligjërisht në luftë. Duhet të jetë miqësia më e sinqertë në glob, ku njëri nga miqtë, domethënë Greqia, ka pretendime territoriale ndaj mikut tjetër, e megjithë këtë, marrëdhëniet tona në mënyrë të habitshme shpalosen si miqësore dhe shpesh të shkëlqyera. Një “miqësi”, e cila shpaloset historikisht që me gjenocidin grek ndaj shqiptarëve në vitet 1913-‘14, me atë çam, pastaj me pushtimin “miqësor” të Shqipërisë së Jugut nga Greqia në 1949 e deri, pse jo, te masakra e Peshkopisë në prill të 1994 dhe përpjekjet greke në 1997-ën.

Një shprehje e vjetër thotë se nëse një grek të shtrëngon dorën, më pas kontrollo sa gishta të kanë ngelur. Kjo, për shkak të aftësisë së tyre vetëm për të marrë dhe rrallë për të dhënë. Në rastin e Shqipërisë, nëse një grek të jep dorën, kontrollo jo gishtat, por të gjithë krahun nëse e ke. Për ne shqiptaret, është e pamundur të kemi një marrëveshje me Greqinë, në të cilën edhe ajo të jepte diçka. Me ne, ata vetëm kanë marrë dhe dhunshëm bile. Një vend, i cili qëllimisht mban statusin juridik të marrëdhënieve të luftës me shqiptarët, nuk mund të ofrojë një marrëveshje të drejtë. Që nga marrëveshja për ujërat ndërkombëtare në krye të herës, me deklaratën e dikurshme të konsullit grek në Korçë, Ikonomu, lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë greke në Shqipëri, kuptohet se shtrëngimi i duarve të Athinës zyrtare ka pasur edhe koston e vet. Historikisht, edhe në ato pak raste kur greku i ka dhënë dorën shqiptarit, nuk ka treguar pikë mëshire që këtë ta bëjë duke e lënduar dhe në kohën më të keqe për të. Mirëpo, ka pasur një përgjigje nga Tirana zyrtare sa herë që ndonjë gisht i yni rezultonte mangët dhe kjo shprehje, që tani i ka kaluar caqet e hipokrizisë, është përsëritur bajatshëm, “sjelljet apo pretendimet e qarqeve të caktuara nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të shtetit grek”.

Në janar të 2003-shit, ministri i atëhershëm i Jashtëm i Greqisë, Papandreu, i rendiste qeverisë shqiptare disa pika, për të cilat ai saktësisht shprehej: “Qeveria greke i jep rëndësi të madhe vërtetimit dhe respektimit të të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Një gjë të tillë e vërteton edhe nënshkrimi me Shqipërinë i marrëveshjes së Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë më 1996”. Kërkesat e tij atëbotë ishin: Regjistrimi i popullsisë, gjatë të cilit të përmbahen pyetje, të cilat kanë të bëjnë me kombësinë dhe besimin fetar. Në këtë mënyrë, do të mund të dalë numri i saktë i komunitetit grek dhe atij ortodoks në Shqipëri. Zgjerimi i mësimit të gjuhës greke në zonat ku jeton minoriteti grek. Përdorimi i greqishtes si gjuhë zyrtare në zyrat shtetërore, si dhe të jenë në greqisht të gjitha tabelat në zonat ku banon minoriteti. Pjesëmarrje e barabartë edhe e minoritetit në aparatin shtetëror. Përcaktimi i saktë i kufijve të zonave ku jeton minoriteti.

Pra, t’i kërkosh Shqipërisë jo vetëm dorën, por t’ia kthesh atë edhe pa gishta fare, në kohën që komuniteti i madh i emigrantëve shqiptarë atje nuk ka gëzuar të drejta bazë, siç janë ruajtja e identitetit etnik dhe fetar të tyre, duke mos i detyruar të ndërrojnë emrin dhe fenë në këmbim të një vendi pune. Për më tepër, çështja çame nuk është thjesht një çështje, një dosje, ajo ka qenë një ndër gjenocidet dhe masakrat më të mëdha të bëra ndaj një popullsie tërësisht shqiptare dhe myslimane. Grabitja e nderit, e dinjitetit dhe e pronës së tyre në formë të strukturuar shtetërore, mbahet sot e kësaj dite peng nga vete qeveritë greke, përmes artificës së ligjit të luftës, i cili legalizon të drejtën e tyre për konfiskimet e bëra, si dhe shmang dëmshpërblimin marramendës që Greqia duhet t’u paguajë shqiptarëve çamë të përzënë.

Si është e mundur që ministra të Jashtëm grekë vijnë në Tiranë dhe me arrogancë imponojnë kushte dhe detyra ndaj nesh, kur borxhi moral, politik dhe ekonomik ndaj shqiptarëve është i përmasave të mëdha? Kjo, sepse qeveritë shqiptare, të nënshtruara politikisht dhe ekonomikisht ndaj fqinjit të tyre, kanë bërë pazare të vazhdueshme në kurriz tonin.

Pikërisht si trashëgimi e kësaj kulture komunikimi mes dy vendeve, ministri i Jashtëm, Dendias, vjen dhe u kërkon shqiptarëve një marrëveshje të re për detin. Një marrëveshje të re pasi me marrëveshjen e vjetër të 2009-ës i kishin gllabëruar Shqipërisë me shumë se treqind kilometra katrorë, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e kohës. Vetëm një politikë arrogante dhe kolonizatore mund të vijë të kërkojë sërish në Tiranë një marrëveshje të re, e cila sipas kutit grek i lë shqiptarët e Jugut të shijojnë përballë tyre një det territorial helen.

Por, grekët e dinë shumë mirë që haptazi me Shqipërinë mund ta kenë humbur shansin për të marrë detin shqiptar, ata tashmë synojnë në këmbim minoritetin. Ajo që shqetëson, përtej kollares me flamurin kuqezi të Kryeministrit tonë, është se çfarë marrëveshje ka bërë ai me grekët në këmbim të çuarjes së çështjes së detit në Gjykatën e Hagës? I gjithë strumbullari i kësaj meseleje përqendrohet në regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë vitin e ardhshëm, në 2021-shin. Iniciativë kjo, e cila u kërkua me forcë nga autoritetet greke që më 2003 dhe si për çudi gjeti një dorë të mirë për të shtrënguar në 2010-ën. Përfshirja në këtë akt-regjistrimi në formë vetëdeklarimi për dy çështje thelbësore të minoritetit, siç janë etnia dhe feja, së bashku me deklarimin se çfarë vaskë banje ke, e bën sa qesharak, aq edhe të rrezikshme çështjen.

Një pikëpyetje, e cila përshkon këtë proces regjistrimi që do bëhet në Shqipëri, është fakti se si mundet që etnisë t’i jepet status vetëdeklarimi pa u bazuar në gjendjen civile si provë e dëshmisë së etnisë. Vetëdeklarimi është një proces psiko-emocional, i cili mund të jetë i luhatshëm apo i lidhur me disa kushte e rrethana të caktuara ekonomiko-sociale,l të cilat nuk përbëjnë thelb etnik. Për këtë arsye, deklaruesi duhet që të detyrohet të sjellë prova në procesin e regjistrimit për përkatësinë etnike të tij, duke u bazuar në trungun familjar të tij dhe jo thjesht me një vetëdeklarim si minoritar. A është futja e këtij kushti që minoritarët në Shqipëri të shpallen thjesht me vetëdeklarim censusin e ardhshëm, këmbimi për ta kaluar detin në kalendat greke me një proces të stërzgjatur gjyqësor në Hagë? Nëse po, atëherë kësaj radhe jo vetëm gishtat, por me shtrëngimin e dorës, grekët na marrin të gjithë krahun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat