COVID-3 hapet javën tjetër, Rama: Stafet rezervë janë rekrutuar, janë trajnuar dhe janë në gatishmëri

Shqipëria

COVID-3 hapet javën tjetër, Rama: Stafet rezervë janë rekrutuar, janë trajnuar dhe janë në gatishmëri

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 12:53
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektoi sot ambientet e spitalit COVID-3.

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitali COVID-3 është i pajisur me 150 shtretër dhe një njësi reanimacioni nëse do të ketë nevojë, të gjitha të përcaktuara sipas protokolleve spitalore.

“Struktura e re e COVID-3 është e përfunduar në aspektin fizik dhe të burimeve njerëzore.

Është instaluar oksigjeni në çdo shtrat, shumë i rëndësishëm për këta pacientë, dhe pajisja me respiratorë në terapinë intensive. Është bërë trajnim prej disa kohësh i burimeve njerëzore”, tha mjekja Najada Çomo, ndërsa shtoi se dy spitalet COVID kanë ende kapacitet pritës ndaj për momentin nuk ka nevojë për të hapur këtë spital.

Por ministrja e Shëndetësisë shtoi se me numrin në rritje të rasteve me COVID ky spital mund të hapet duke nisur nga java tjetër.

“Spitalet COVID 3 dhe 4 janë gati dhe asnjëherë, asnjë çast, qyshse ka nisur kjo luftë, nuk jemi kapur të papërgatitur, përkundrazi.

Stafet rezervë janë rekrutuar, janë trajnuar dhe janë në gatishmëri”, shkroi më herët në Facebook kryeministri.

Një ditë më parë, Partia Demokratike përmes ish-deputetes Oriola Pampuri kërkoi largimin e ministres së Shëndetësisë për keqmanaxhim të situatës nga pandemia e COVID-19.

Sipas PD, spitali COVID-3 nuk është një spital i mirëfilltë, por thjesht ish-pavijoni i urologjisë, me një përshtatje bazike të 11 dhomave me nga 2 shtretër.

Ish-deputetja tha se ky spital mund të akomodojë vetëm 22 persona, çka nuk është e mjaftueshme për numrin e lartë në rritje të të infektuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat