Kandidatët e PD/ Reagojnë ish-deputetët që iu shty aprovimi, Gurakuqi: Njohim vetëm vendimin e kryetarit

Shqipëria

Kandidatët e PD/ Reagojnë ish-deputetët që iu shty aprovimi, Gurakuqi: Njohim vetëm vendimin e kryetarit

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 15:39
Foto Ilustrim

Komisioni i vlerësimit që bëri filtrimin e kandidatëve në PD dorëzoi të premten listën që kishte hartuar. Nga 498 kandidatë që u konfirmuan nga kryesia e PD-së, anëtarët e komisionit firmosën që në kryesi të çonin dy lista: një me ata të cilët kalojnë fazën e tretë dhe një me ata të cilët u shtyhet aprovimi.

Në listën e dytë kishte edhe anëtarë të kryesisë së PD-së, por edhe deputetë. Këta të fundit kanë reaguar duke thënë se komisioni i vlerësimit ka tejkaluar kompetencat. Shkodra ishte një nga qarqet ku në zgjedhjet e 2017-ës nxori 4 mandate. Nga këta 4 u kualifikua vetëm Bardh Spahia, ndërsa Romeo Gurakuqi, Izmira Ulqinaku, e cila është edhe anëtare e Kryesisë, dhe Lorenc Luka nuk u kualifikuan. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, ishdeputeti, Romoe Gurakuqi u shpreh se ai njeh vetëm vendimin e Kryesisë së PD-së, ndërsa shton se komisioni ka tejkaluar tagrat. Po ashtu, ai ngre dyshime se grupi i deputetëve të PD-së është paragjykuar dhe tha se po heton për këtë.

REAGIMET

Romeo Gurakuqi: Unë njoh vetëm vendimin kryetarit të PD-së dhe Kryesisë në lidhje me procedurën e rikandidimit. Veprimi i komisionerëve në qoftë se ka ndodhur, është realizuar në shkelje të plotë të tagrave të dhënë atyre nga rregullorja respektive, kësisoj janë nul. E drejta e tyre për të shqyrtuar kandidatët ka përfunduar ditën që emrat i kanë shkuar anëtarësisë për konsultim. Në Shkodër më datën 30 shtator 2020. Pika 32 e udhëzimit e përcakton krejt qartë këtë. Komisionerët gabimisht janë bazuar te pika 31, por ajo pikë përdoret nga komisioni për ata që janë konfirmuar por skualifikuar nga kontestimi.

Mbi të gjitha, pretendimi se është bërë vlerësim bazuar në kritere, siç kam dëgjuar nga disa ligjërime të gjata të kryera nga disa anëtarë të komisionit, është i pavërtetë dhe shumë fyes në deklarimin diferencues. Ata kanë realizuar vetëm votim të fshehtë mbi emra, pa pasur parasysh CV-në dhe rezultatet e arritura në procesin e konsultimit në bazë. Unë pres që ata të cilët kanë fyer pa të drejtë ish-deputetët e PD-së duhet t’u kërkojnë falje përfaqësuesve dhe elektoratit që ka zgjedhur me votë deputetët në Parlamentin e Shqipërisë.

Targetimi i deputetëve të Shkodrës është i paragjykuar dhe i paramenduar, sipas një opinioni timin personal. Arsyet e kësaj ndërhyrjeje të targetuar jam duke i shqyrtuar me shumë kujdes. Unë njoh tanimë vetëm vendimin që i përket kryetarit të PD-së dhe do ta respektoj 100% atë, duke qëndruar në linjën themelore të PD-së dhe anëtarësisë, që ka vuajtur persekutimin e regjimit të Edi Ramës, ka qenë e angazhuar në betejën për votën e lirë dhe nuk ka qëndruar në poltronët e korrupsionit të kastës që tallet me popullin që largohet nga skamja dhe pasiguria prej vitesh nga vendlindja. Do të bëj gjithçka që Shkodra të ketë përfaqësinë e vet më të mirë, sikurse e kërkojnë mijëra shkodranë këtu dhe nëpër botë.

Pra, ju njihni vetëm vendimin e kryetarit të PD-së dhe institucioneve zyrtare të PD-së?

Unë njoh vetëm vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe Kryesisë që do të bazohet në rankimin e realizuar nga votimi i bazës. Për mua ka rëndësi që kam qenë më i përkrahuri nga anëtarësia e PD-së në Shkodër dhe jam shumë i surprizuar dhe falënderues ndaj demokratëve shkodranë.

Do të vazhdoj të jem në krah të Bashës, në kryesimin e punëve në qarkun e Shkodrës. Njëlloj do të jem përkrah PD-së dhe kryetarit Basha sikur unë të mos jem kandidat për deputet për shkak të vendimmarrjes sime ose të drejtimit racional të drejtuesit të PD-së. Ka pasur një keqinterpretim mbi tagrat e komisionit.

Duhet të sqaroj se ato tagra kanë qenë vetëm konsultativë dhe asnjëherë vendimmarrës. Ato tagra kanë përfunduar për këtë komision tanësisht me datën 10 tetor. Unë kam marrë votëbesimin e anëtarësisë për të qenë drejtues i grupit të deputetëve demokratë në Shkodër me 30 shtator 2020. Asnjë lloj gjykimi nuk mund të realizojë komisioni për staturën intelektuale, qytetare dhe për integritetin, duke u nisur nga mendja e vet dhe pa prova zyrtare. Për të gjykuar mbi integritetin më së pari duhen marrë certifikatat nga autoritetet dhe për këtë ka një radhë nga ku nis puna. Unë jam certifikuar nga autoritetet shtetërore për pastërtinë e figurës në muajin korrik 2017, para marrjes së mandatit me kërkesën time dhe ky është një fakt i njohur publikisht.

Pyetja është: a munden te pa certifikuarit te shqyrtojnë pastërtinë e figurës te certifikuarve?!

Unë sugjeroj qe dikush duhet te me kërkoje  falje  per fyerjet aluduese publike te bera, me dashje ose prej mungeses se maturise. Po ashtu kerkoj qe vendimi i ndermarre ne kundershtim me Udhezimin e kryetarit  te anullohet, brenda kesaj jave, perndryshe do t’i drejtohem Komisionit te Apelimit per ta gjykuar.

Jeni takuar të premten me kryetarin e PD?

Kam raporte miqësore dhe institucionale me kryetarin e PD dhe e takoj në çdo moment zotin Lulzim Basha. Jam ende deputet per PD dhe elektoratin e djathte, deri në zgjedhjet e ardhshme dhe e kam edhe këtë akses ne çdo moment qe me nevojitet per te realizuar detyrat perfaqesuese, organizative dhe konsultuese deri me date, 25 prill 2021.

Izmira Ulqinaku: Ky është një opinion i anëtarëve të komisionit të vlerësimit, vendimmarrjen e pres prej Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Sa i përket votimit të anëtarësisë, kam qenë ndër emrat që ka marrë më pak vota kontestuese dhe falënderoj demokratët e Shkodrës për mbështetjen.

Fatbardha Kadiu: Komisioni i vlerësimit kreu detyrën, mbaroi punën e tij dhe tashmë përzgjedhja e kandidatëve vazhdon në fazat e tjera. Kontrata ime është e lidhur me Partinë Demokratike, me demo-kratët dhe ajo çfarë është e rëndësishme është që PD-ja nesër duhet të drejtojë vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat