Gazetari Eni Ferhati flet me emra konkretë: Shqiptaret, që nuk pranuan të kthehen nga Siria

Shqipëria

Gazetari Eni Ferhati flet me emra konkretë: Shqiptaret, që nuk pranuan të kthehen nga Siria

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 17:21
Eni Ferhati

Pas shumë përpjekjeve ka nisur më në fund operacioni për kthimin e shqiptarëve nga kampi “Al Hol” në Siri. Në fazën e parë të operacionit është bërë i mundur evakuimi i pesë personave, mes tyre katër fëmijë dhe një grua e plagosur rëndë.

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati, ka mësuar detaje të reja në lidhje me aksionin për riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria. Sipas tij, ka pasur shqiptarë brenda kampit, kryesisht femra, të cilat nuk kanë bashkëpunuar me Anti-terrorin shqiptar pasi janë radikalizuar dhe nuk kanë dëshirë të kthehen më në Shqipëri.

“Ajo çfarë ka ndodhur është bërë mundur të nxirren katër fëmijë dhe një shtetase e plagosur atje në Siri, e cila ndodhet në gjendje të rëndë dhe është invalide. Ajo çfarë ka ndodhur disa persona të tjerë, kryesisht femra i janë shmangur kontrollit të Anti-terrorit duke u fshehur pasi nuk duan të kthehen”, tha ai.

Ai listoi emrat e disa shqiptareve, të cilat kanë refuzuar ndihmën e autoriteteve për t’i shpëtuar kampit të ferrit.

"Bëhet fjalë për disa shtetase shqiptare që kanë shkuar në Siri në 2014-15, të cilat janë radikalizuar dhe nuk pranojnë të kthehen. Janë fshehur dhe nuk kanë dëshirë të kthehen. Madje disa prej tyre, janë Emanulea Daci, e cila është bashkëshortja e Almir Dacit i cili është vrarë në luftë atje, Mirvete Dibra, Eva Dumani, Hajrie Tushani dhe Elona Shuli. Janë këto shtetase, që nuk kanë pranuar të nxirren nga kampi dhe janë fshehur së bashku me fëmijët e tyre”, theksoi Ferhati.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është nisur ndërkohë drejt Libanit për të pritur pesë shqiptarët që tashmë janë nxjerrë me sukses nga kampi “Al Hol”. Ai shkroi në “Facebook” se nëse gjithçka shkon sipas planit do të realizohet me sukses kthimi i të gjithë shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat