Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura e Konferencës së Kryetarëve

Shqipëria

Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura e Konferencës së Kryetarëve

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 18:20
Foto Ilustrim

Ditën e premte, më datë 23 tetor, Presidenti Ilir Meta ktheu zyrtarisht për rishqyrtim ndryshimin e Kodit Zgjedhor që ishte miratuar nga Kuvendi në seancën e datës 5 tetor.

Edhe pse e kishte paralajmëruar ditë dhe javë me parë këtë akt të tij, Presidenti mori kohë deri në ditën e fundit që i lejon ligji. Por kjo sjellje e Presidentit, që nga maxhoranca socialiste u konsiderua si hileqare dhe me qëllim për të marrë sa më shumë kohë, nuk e gjeti të papërgatitur Kuvendin.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 21 tetor, kryeparlamentari Ruçi i kishte udhëzuar kryetarët e grupeve parlamentare, që kur të vijë dekreti i Metës për kthimin e Kodit Zgjedhor (siç dhe në fakt ndodhi), të mos prisnin javën e parë të nëntorit, por ta merrnin në shqyrtim direkt dhe t’i dërgohej seancës në 29 tetor.

Ky është një ndryshim në kalendarin e Kuvendit, pasi më herët ishte vendosur që java e fundit e muajit tetor, duke qenë se përkon me javën e gjelbër, të mos kishte mbledhje të komisioneve dhe as të seancës plenare të Kuvendit.

Në fjalën e tij, Ruçi theksonte se nuk e paragjykonte në asnjë moment vendimin që do të merrte Presidenti, por e bënte këtë thirrje për t’i bërë parapri cilësdo situatë që mund të prodhohej.

Në zbardhjen e mbledhjes të publikuar nga shërbimet e Kuvendit vihet re se në këtë ndryshim të kalendarit të Kuvendit, nuk pati asnjë kundërshti as nga ata që përfaqësojnë opozitën parlamentare.

“Konferencën e kaluar ju bëra me dije që në datën 29 të mos ta zhvillonim seancën, por kërkoj mirëkuptimin e Konferencës që ta zhvillojmë për disa arsye. Së pari, unë nuk e dija që do të vinte projektbuxheti dhe ardhja e projektbuxhetit do të na bëjë, në përgjigje edhe të pyetjes që bëri zonja Ekonomi, që ndoshta ne mund të mos zhvillojmë ndonjë seancë tjetër të radhës dhe aq më pak që gjatë muajit që diskutohet projektbuxheti, nuk do të kemi ‘Javë të gjelbër’.

Kështu që, duke qenë se erdhi projektbuxheti, do të kërkoj që e gjithë axhenda e datës 5 të zhvendoset për datën 29, por jo vetëm kjo, po edhe për këtë që ramë dakord, për këtë datë të bëjmë gati edhe këtë marrëveshje, por jo vetëm për këtë, por mesa duket, po vete drejt kufirit infinit, mosdekretimi nga ana e Presidentit të Republikës i ndry shimeve të Kodit Zgjedhor, për të cilat afati i fundit është në datën 25. Unë do të shpresoj dhe do të uroj shumë që Presidenti ta dekretonte apo ta linte në heshtje, me qëllim që të fillojë të funksionojë, për arsye se koha po rrjedh, 25 prilli është shumë afër.

Ne, në qoftë se do ta lëmë në kushte normale që të rrjedhë, në rast kthimi nga Presidenti të këtij projektligji, i bie që të ulemi për të diskutuar për të dhënë datën 5, domethënë të vonohemi edhe një 10-ditësh tjetër. Kështu që për t’i paraprirë edhe kësaj, do të kërkoj mirëkuptimin tuaj, që të zhvillojmë seancë në datën 29 me axhendën e seancës së datës 5, pra, 12 ta zhvendosim aty, ku të përfshihet edhe ratifikimi i kësaj marrëveshjeje dhe nëse nga Presidenti do të kthehet, që është kufiri i 25-ës, komisioni përkatës ta shqyrtojë dhe në datën 29 Kuvendi të shqyrtojë edhe dekretin e Presidentit, në qoftë se do të kthehet në kohë. Hipotetike është, s’kam pse e paragjykoj. Ngelemi dakord kështu? Kush është dakord? (Shprehen dakord të gjithë.) Dakord. Faleminderit!”, deklaroi kryetari i Kuvendit në mbledhjen e Konferencës së Kryetareve të datës 21 tetor.

Vlen të theksohet se këtë ndryshim në kalendarin e Kuvendit, në fjalën e tij kryeparlamentari Ruçi gjithashtu e argumentoi edhe me depozitimin e projektbuxhetit për vitin 2021 nga qeveria.

Kthimi i Kodit Zgjedhor, Hajdari: Të mblidhet Këshilli Politik

Deputetja Rudina Hajdari bëri dje thirrje për mbledhjen e Këshillit Politik. Në një intervistë për “News 24”, Hajdari deklaroi se tashmë me kthimin në Kuvend të Kodit Zgjedhor duhet të shikohet edhe një herë mundësia për t’i hapur listat.

Por ajo nënvizoi se hapja e listave ka qenë një betejë e opozitës parlamentare, por që nga dy partitë e mëdha nuk është dashur me të vërtetë në asnjë moment.

“Të gjitha palët ranë dakord që listat e hapura mund të bënin ndryshim për qytetarët që ata të vendosnin listën fituese në parlament. Kjo vërtetë do ishte shans historik dhe në atë kohë e kam quajtur historik. Nga ajo kohë e deri tani, koha ka kaluar, maxhoranca ka tentuar që në mënyrë të njëanshme të mbajë listat e mbyllura. Teksa ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk ia japin shansin qytetarëve, listat e hapura 100%. Ndryshimi është te vota parapëlqyese dhe ky është ndryshimi, por s’bën diferencë.

Ndaj mendoj që me thirrjen e Këshillit Politik mund të reflektojmë, të ulemi dhe të gjejmë konsensus. Maxhoranca ishte për lista të hapura, minimumi 70%, kurse sot janë të mbyllura 100%. Nuk mbajtën premtimin, fakti që e kaluan në Parlament pa konsensus tregon që Kodi Zgjedhor u miratua në mënyrë të njëanshme. Ka thyer frymën, më vjen çudi që shikoj një opozitë jashtëparlamentare të heshtur.

Në momentin që Presidenti e kthen në Parlament, s’kam parë reagim madhor. Ky duhet të ishte momenti, nuk duhet të jemi të heshtur. Më 29 nëntor është seanca dhe mund të takohemi për t’u dhënë qytetarëve. Unë kam qenë konsistente për listat e hapura 100%”, deklaroi Hajdari.

KEQARDHJA E NDËRKOMBËTARËVE PËR NDRYSHIMIN E KODIT PA KONSENSUS

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor më 5 tetor pa mbështetjen e opozitës së bashkuar dhe as të pjesës dërrmuese të opozitës parlamentare, nuk u prit mirë nga thuajse gjithë faktori ndërkombëtar.

Në reagimet e tyre fill pas votimit në Kuvend, por edhe më vonë deklarata, apo intervista, ambasadorët u shprehën të zhgënjyer që një nismë e tillë kaloi në Kuvend pa konsensus mes palëve.

Duke filluar nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim, tek ai i BE-së, Soreca, anglezi Norman dhe më radhë gjithë diplomatët e huaj brenda dhe jashtë Shqipërisë theksuan se do të kishte qenë mirë që edhe ndryshimet e Kodit në 5 tetor të kishin qenë nën shembullin e atyre që u bën me marrëveshjen e 5 qershorit, e cila u përshëndet nga gjithë faktori ndërkombëtar, deri te sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat