Shqipëria kthen katër fëmijë dhe një grua nga Siria

Shqipëria

Shqipëria kthen katër fëmijë dhe një grua nga Siria

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 19:09
Kampi al-Hol në Siri

Katër fëmijë dhe një grua do të kthehen në Shqipëri nga kampi al-Hol i Sirisë, ku kanë qëndruar për rreth dy vjet.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vetë do të niset për në Liban, për të marrë pjesë në riatdhesimin e tyre.

“Operacioni është ndarë në dy faza, pasi janë zhvilluar negociata të pafundme sekrete. Në këtë fazë të parë, që është në zbatim tani që flasim, shpresojmë që me ndihmën e Zotit të kthejmë katër fëmijë dhe një nënë të plagosur, në kushte shëndetësore të vështira. Ndërkohë, për fëmijët e tjerë do të bëhet faza e dytë. Uroj dhe shpresoj që do t’ia dalim t’i kthejmë fëmijët”, tha Rama për një media vendore në Shqipëri.

Kampi al-Hol drejtohet nga kurdët dhe aty mbahen të burgosur që dikur kanë qenë pjesë e grupit militant Shtetit Islamik ose familjarë të tyre.

Kryeministri Rama tha se operacioni për kthimin e fëmijëve në Shqipëri është shumë kompleks.

“Ju e dini se sa komplekse është situata, se sa të ngatërruar janë ekuilibrat e forcave në atë territor; ju e dini se çfarë është ai kamp i tmerrshëm dhe e dini që neve na duhet të kalojmë përmes kanaleve nga më të ndryshmet, pasi që nuk kemi një kanal të drejtpërdrejtë me Qeverinë e Damaskut”, tha Rama.

Shtetasit shqiptarë që do të riatdhesohen janë në mesin e mbi 60 mijë banorëve të kampit al-Hol, shumica e të cilëve janë sirianë, irakianë dhe një pakicë e tyre nga vendet e tjera, prej nga kishin shkuar dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj, për t'iu bashkëngjitur grupit militant Shteti Islamik, në synimin e tij për të krijuar një kalifat islamik.

Që nga viti 2012, rreth 100 shqiptarë nga Shqipëria i janë bashkëngjitur organizatës terroriste.

Nga ta mendohet se rreth 40 janë kthyer në Shqipëri, ndërkohë që për pjesën tjetër nuk është e ditur vendndodhja.

Shqipëria është vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor që po bën riatdhesimin e ish-pjesëtarëve të Shtetit Islamik ose familjarëve të tyre nga kampi al-Hol.

Para më shumë se një viti, Kosova ka riatdhesuar 110 shtetas së saj - shumica e të cilëve fëmijë dhe gra.

Ky veprim i Shqipërisë vjen pas paralajmërimeve të autoriteteve kurde që e udhëheqin kampin al-Hol se do ta mbyllin atë, për shkak të gjendjes së vështirë të sigurisë dhe kanosjes së pandemisë së koronavirusit. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat