Rama nuk tërhiqet nga miratimi i Kodit Zgjedhor

Shqipëria

Rama nuk tërhiqet nga miratimi i Kodit Zgjedhor

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 14:06
Edi Rama

I sapo mbërritur nga Beiruti nga ku riatdhesoi një grua dhe katër fëmijë shqiptarë të bllokuar në kampin famëkeq të Sirisë, Edi Rama deklaroi prerazi se Kuvendi nuk do të presë asnjë sekondë për rivotimin e Kodit Zgjedhor.

Madje nënvizoi se këtë qëndrim ia ka bërë të qartë edhe komisionerit, Oliver Varhelyi.

Rama: E kam sqaruar dhe komisionierin në një bisedë që kemi pasur që Parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet me 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta i cili nuk ka qëllim trë përmirësojë Kodin Zgjedhor por ka qëllim të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist anti-shumicë dhe anti-parlament këtë proces.

Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet, ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe duke pasur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për tu adresuar çfarëdo çështje që mund të dalë përtej 25 prillit.

Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, e përsëris, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor e kanë nisur punën dhe kanë nevojë të kenë të shkruar e zeza mbi të bardhë ligjin zgjedhor, implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet.

Mos harrojmë se është marrë dhe një angazhim për identifikimin biometrik, koha është jashtëzakonisht e ngushtë për të mos thënë e  pamundur por ne nuk kemi asnjë arsye që të mos e refuzojmë në sekondën e parë që kalon afati i procedurës Ilir Metën me të gjithë këtë përpjekje, që është tashmë një përpjekje botërisht e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe të një lideri absolut të një partie të degraduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat