Ndarja e detit në Hagë, Krisafi: Greqia dhe Shqipëria në kushte të barabarta, politika do të lajë duart

Shqipëria

Ndarja e detit në Hagë, Krisafi: Greqia dhe Shqipëria në kushte të barabarta, politika do të lajë duart

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 16:54
Ksenofon Kristafi

Profesor Ksenofon Kristafi në një intervistë për Euronews Albania tha se përpara se Greqia dhe Shqipëria të shkojnë në Hagë për çështjen e detit duhet të arrijnë fillimisht një marrëveshje negociuese, gjë që sipas tij deri tani duket se nuk është bërë, pasi kompetencën për ta iniciuar një gjë të tillë e ka kreu i shtetit.

Sipas profesor Kristafit, të dyja palët do të jenë pozita të barabarta në gjykatën ndërkombëtare nëse negociatat për marrëveshjen e kompromisit do të zhvillohen në kushtet normale pa kërcënime e presion, por nëse njëra nga palët lëshon pe, siç bëri Shqipëria në 2007, Haga është vetëm një alibi për politikanët që të lajnë duart nga kjo çështje.

“Kërkesa për të shkuar në Gjykatën e Hagës nuk mbetet ekskluzivitet i asnjërës palë, po s’pati një marrëveshje paralele nuk shkon në Hagë. Duhet të merren vesh të dyja. Në këto raste, nëse negociatat për marrëveshjen e kompromisit do të zhvillohen në kushte normale, pa kërcënime e presion, që i ndalon e drejta ndërkombëtare, të dyja palët janë në kushte të barabarta.

Nëse njëra palë lëshon, siç bëmë ne në 2009-n, Gjykata do veprojë vetëm si simulim i një vendimi të keq dhe politika thjesht do të lajë duart si Ponc Pilati.

Nëse shkon me mendimi që ta lëshosh në Hagë ke bërë të njëjtën gjë, por vetëm e ke veshur me një stof të ri, kjo është e shëmtuar, pasi bëhet fjalë për territorin, bëhet fjalë për tokën dhe uji e këtij vendi, të këtyre njerëzve”, tha profesori.

Teksa e cilësoi një çështje të rëndësisë së veçantë, profesor Kristafi u bëri thirrje autoriteteve shtetërore në Shqipëri, duke iu referuar këtu kryeministrit, presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të bien në një mendje sa i përket asaj që Shqipëria do të kërkojë në Hagë përballë Greqisë, pasi siç tha këtu nuk bëhet më fjalë për kolltukun e tyre, por për territorin e vendit.

Sipas tij, është e nevojshme që pa humbur kohë të angazhohen ekspertët më mirë që të mendojnë që tani, me muaj e ndoshta vite për atë që do të kërkojë Shqipëria në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat