Fushata për zgjedhjet amerikane ndiqet me interes në Shqipëri

Shqipëria

Fushata për zgjedhjet amerikane ndiqet me interes në Shqipëri

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 20:27
Shaban Murati

Fushata presidenciale e SHBA-ve po ndiqet me mjaft interesim edhe nga qytetarët në Shqipëri.

Studiues të marrëdhënieve shqiptaro - amerikane mendojnë se arsyet e këtij interesimi të veçantë marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe bashkëpunimi i sotëm si aleatë strategjikë për çështjet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit.

Njohës të spikatur të marrëdhënieve shqiptaro- amerikane në Tiranë renditin një seri faktorësh, që sjellin interesimin e vazhdueshëm të opinionit publik shqiptar për zhvillimet politike dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Studiuesi i njohur i çështjeve ndërkombëtare dhe rajonale, ambasadori Shaban Murati, thotë se historikisht për mbi 100 vjet e deri sot u provua se Shqipëria ka gjen te SHBA aleatin real strategjik dhe jo aleat të përkohshëm konjuktural.

“SHBA është fuqia e madhe e vetme me të cilën populli shqiptar, kombi shqiptar ka një përvojë pozitive në historinë e tij, që s’e ka me asnjë shtet; qoftë nga Lindja qoftë nga Perëndimi, që fillon me përkrahjen e famshme të Presidentit Willson për Pavarësinë e Shqipërisë për të ardhur tek akti i madh i pashoq i çlirimit të Kosovës dhe i krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës” - tha zoti Murati.

Drejtuesja e Qendrës Shqiptare të Politikave, Edit Harxhi, ish.zv.ministre e punëve të jashtme, thotë se SHBA është aleati strategjik madhor i Shqipërisë.

“Mendoj se në hierarkinë e interesave strategjikë të shtetit shqiptar por dhe të të gjithë shqiptarëve dhe të interesit shqiptar në të gjithë botën qëdrojnë natyrisht SHBA me gjithshka që ata kanë bërë, miqësinë dhe aleancën që i kanë ofruar shqiptarëve në cdo kohë” - tha zonja Harxhi.

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, thotë se nga viti 1992 shqiptarët ndjekin me interesim cdo zhvillim në SHBA, sepse ata besojnë që fati i demokracisë shqiptare dhe i zhvillimeve demokratike lidhen me me SHBA dhe me demokracinë amerikane, nga e cila përpiqen të mësojnë.

“Një pjesë të mirë të asaj që mund të quhet edukim për demokraci në Shqipëri ka ardhur si rezultat i kontakteve apo i trajnimeve apo i shumë projekteve që vet ne në Shqipëri i kemi marrë nga SHBA. Për shembull, në sistemin arsimor, ka projekte për edukimin qytetar demokratik apo shumë projekte që ka patur USAID; ato synojnë të mësojnë si duhet parimet, vlerat dhe shprehitë demokratike, që askush më mirë se SHBA nuk i ofron për shtetasit shqiptarë dhe për politikën shqiptare” – tha zoti Gjuraj.

Zonja Harxhi theksoi se zgjedhjet e SHBA-ve kanë rëndësi për Shqipërinë më shumë edhe se sa vet zgjedhjet e Shqipërisë, e cila jeton në një rajon me përplasje dhe interesa të forcave jeuropiane dhe jotransatlantiste.

“Aktualisht përfshirja e aktorëve të tretë në rajonin tonë, sic është Rusia dhe Kina, është shtuar shumë në mjete konvensionale dhe jokovencionale dhe natyrisht te SHBA shohim shpëtuesin e madh, siç​ është normalisht, një lider global, një lider botëror, por në ç​do moment na ka ardhur në ndihmë dhe e kemi pasur gjithmonë prezent në të gjitha zhvillimet e rajonit tonë” - tha zonja Harxhi.

Ndërsa studiuesi Shaban Murati thotë se aktualiteti i Ballkanit i shtyn përsëri shqiptarët drejt SHBA-ve, sepse në rajon po shtohen ndikimet e forcave të tjera dhe po dalin sfida dhe rreziqe të shumta.

“Ky element gjeopolitik i ri e drejton vetvetiu popullin shqiptar tek aleati i tij real të cilit i beson, te SHBA-të, të cilët do ta neutralizojnë këtë ndërhyrje të fuqive të huaja kushdo qofshin ato në rajonin e Ballkanit” - tha zoti Murati.

Sipas studiuesve, çështja e Kosovës është po ashtu një faktor kryesor i interesimit të madh të shqiptarëve ndaj politikës amerikane në prag të zgjedhjeve.

Organizimi i fushatës zgjedhore, tubimet, debatet dhe angazhimet e shtabeve elektorale për të përhapur mesazhet politike janë në vëmendjen e opinionit shqiptar, të cilit i mungojnë dhe ka nevojë për këto elemente domethënëse demokratike.

“Zgjedhjet në vetvete në SHBA janë leksion, janë shkollë demokracie. Këtu ka patur përpjekje për të mësuar prej tyre. Për shembull te opozita shoh përpjekje për të patur ato primaret brenda vetes. Sistemi politik është i ndryshëm, por ka një përpjekje për të imituar këtë shkollë amerikane të zgjedhjeve” - thotë zoti Gjuraj.

Analistët vërejnë se faktori shqiptar është faktori më i rëndësishëm gjeopolitik që përputhet me strategjinë amerikane në rajonin e Ballkanit.

Sipas tyre, shqiptarët duhet të jenë të vëmendshëm për të mos lejuar asnjë carje në marrëdhëniet e ngushta Shqipëri - SHBA, pavarësiht se cili kandidat apo parti do të fitojë zgjedhjet presidenciale të nëntorit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat