Privatizimi i rafinerisë së Ballshit, Huseynov: S’ka të bëjë me qeverinë azere, ishte marrëveshje private

Shqipëria

Privatizimi i rafinerisë së Ballshit, Huseynov: S’ka të bëjë me qeverinë azere, ishte marrëveshje private

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 20:17
Ambasadori i Azerbajxhanit në Tiranë, Anar Huseynov

Ambasadori i Azerbajxhanit në Tiranë, Anar Huseynov sqaroi se privatizimi i rafinerisë së Ballshit nuk ishte investim i qeverisë azere, por angazhim privat. Teksa theksoi se do të informohet më tepër për çështjen ai u zotua të angazhohet për të zgjidhur situatën.

Huseynov tha se i vinte keq që kjo çështje ka hedhur dyshime mbi qëllimet dhe reputacionin e Azerbajxhanit kundrejt marrëdhënieve me Shqipërinë.

“E kuptoj që kjo temë është përfolur shumë në median vendase dhe gjithashtu në segmente të ndryshme të popullsisë. Dhe më vjen keq që kjo çështje ka hedhur hije dyshimi mbi qëllimet dhe reputacionin e Azerbajxhanit në vendin tuaj, sepse ne si qeveri dhe autoritete publike, kemi qenë gjithnjë partner konstruktivë, të besueshëm dhe të qëndrueshëm për Shqipërinë. Dhe këtë e kemi provuar me projektet tona të mëparshme,” – tha Ambasadori Huseynov.

“Si anëtar dhe përfaqësues i autoriteteve publike, të themi, e di që është çështje e ndjeshme dhe ajo që mund t’ju premtoj si ambasador në Shqipëri është se do të udhëtoj nga Tirana në Baku. Do ta shoh këtë çështje atje dhe do të bëj më të mirën time për të kontribuuar në zgjidhjen sa më parë të saj,” – u shpreh diplomati azer.

Pas një investimi shqiptaro-azerbajxhanas, kompania që administronte rafinerinë falimentoi. Kjo solli probleme financiare, sidomos për punonjësit dhe me kalimin e viteve situata u rëndua duke ardhur në periudhën aktuale ku prej një viti rafineria nuk punon ndërsa punonjësit nuk kanë mundur të marrin as pagat e prapambetura.

I pyetur nëse ka pasur hetime në Azerbajxhan ndaj personave që u përfshinë në privatizimin e rafinerisë dhe se çfarë ka ndodhur me ta, ambasadori konfirmoi se “ata janë arratisur” ndërsa shtoi se nuk kishte dijeni detaje, por që do të informohej më tepër.

Gjatë intervistës me gazetaren Ilva Tare, ambasadori Huseynov foli për marrëdhëniet me Shqipërinë, interesin e Azerbajxhanit për të investuar më tepër në Shqipëri, si dhe për konfliktin e Nagorno-Karabakh me Armeninë, ku Bakuja ka si parakusht për dialogun “njohjen e integritetit territorial” nga Jerevani.

Shqipëria dhe Azerbajxhani kanë vendosur marrëdhënie mes tyre prej vitit 1993, mirëpo, siç theksoi ambasadori Huseynov deri në vitet 2011-2012 ato kanë qenë kryesisht me ndërveprime brenda organizatave ndërkombëtare.

Pas kësaj periudhe dy vendet kanë pasur bashkëpunim më konkret në fushën ekonomike, kryesisht në energjitikë dhe edukim. Projekti më madhor mbetet ai i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), por ambasadori Huseynov tha se Bakuja po sheh të gjitha mundësitë për të rritur investimet në Shqipëri.

Në këtë pikë ambasadori tha se po shihen mundësitë që SOCAR, një prej kompanive azerbajxhanase më të mëdha të naftës, të investojë në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat