Tragjedia në Dibër/ Si u gjetën të pajetë 3 minatorët 48 orë pas zhdukjes

Shqipëria

Tragjedia në Dibër/ Si u gjetën të pajetë 3 minatorët 48 orë pas zhdukjes

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 16:11
Foto Ilustrim

Një inxhinier dhe tre minatorë janë gjetur të pajetë në një galeri kromi, në zonën mineralmbajtëse të Balgjajt, rrethi i Dibrës.

Viktimat janë gjetur në thellësi të minierës, të paktën tri ditë pas vdekjes, atëherë kur familjarët e inxhinierit Ismail Hoxha dhe minatorëve Fatos Çesku dhe Rexhep Rushiti kanë lëshuar sinjalin “SOS”.

Vëllai i pronarit të galerisë nr. 1, në Shtrungas të Kacnisë, i ka telefonuar Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Dibër, më datë 28 Tetor 2020, rreth orës 18:00, dhe ka kërkuar ndihmën policore për t’u ngjitur në malet e Selishtës dhe për të gjetur tre personat e “zhdukur” prej së martës. Apeli i vëllait të inxhinierit Ismail Hoxha është vlerësuar nga drejtuesit e drejtorisë Rajonale të Policisë dhe ato të Komisariatit të Dibrës.

Deri në Selishtë udhëtimi ka qenë normal, ndërkohë nga qendra administrative deri në vendin e ngjarjes vetëm mjetet tip “Ifa” mund të ngjiteshin. Mësohet se punonjës të Policisë dhe banorë të zonës, kryesisht persona që kanë punuar më parë në galeritë e Kacnisë kanë mbërritur rreth mesnatës në galeri, majë maleve të Pratit. Bashkë me banorët e zonës dhe Policinë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes së rëndë edhe ekspertët e RISHMI-it, të cilët kanë konstatuar se në minierë kishte gazra të rrezikshëm.

Fillimisht kanë ndezur kompresorët për të kryer ajrimin e galerisë “amatore”, aty ku tre persona kishin mbetur prej më shumë se tri ditësh. Specialistët e ardhur nga Tirana dhe ish-minatorët e kësaj galeria fillimisht kanë kqyrur barakën ku qëndronin tre personat që punonin në galeri. Aty kanë gjetur rrobat dhe telefonat e tyre. Pastaj kanë hyrë në minierë ku kanë gjetur tre trupat e viktimave, ndërsa burimet thanë se ata kanë humbur jetën tri ditë më parë.

TRUPAT E PAJETË

Trupat e tyre janë nxjerrë nga nëntoka dhe janë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Peshkopisë. Mjeku i ekspertizës ka konstatuar se tri viktimat nuk kishin lëndime apo dëmtime trupore, çfarë do të thotë se ata janë asfiksuar dhe kanë ndërruar jetë për shkak të gazrave të dëmshëm.

Trupi i Hoxhës është dërguar pranë familjes në Dibër, ndërkohë tri viktimat e tjera, Fatos Çesku dhe Rexhep Rushiti janë dërguar në Bulqizë, pranë të afërmve të tyre. RISHM-i, Policia, Prokuroria, Inspektorati i Punës dhe struktura të tjera shtetërore kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet e para rezulton se, Ismail Hoxha kishte tri galeri në pronësi, të regjistruara në QKR, ndërkohë që kohë më parë ishte “divorcuar” me një tjetër pronar, në një galeri tjetër, disa metra poshtë galerisë ku ndodhi tragjedia e radhës. Fillimisht lindën dyshime për ndonjë “hakmarrje” mes rivalëve në tregtinë e kromit, por ortaku i galerisë tjetër i tha Policisë Dibër se me Ismail Hoxhën ishin “ndarë” paqësisht.

Shtetasi B.P, pohoi se me Hoxhën kishte pasur një galeri ku inxhinieri kishte 51% të aksioneve dhe ai 49%, por muaj më parë kishin rëndë dakord që B.P të merrte 100% të aksioneve të minierës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat