Rakacolli tregon arsyet pse u vendos mësimi online në universitete

Shqipëria

Rakacolli tregon arsyet pse u vendos mësimi online në universitete

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 08:36
Ilustrim

E ftuar në studion e Ora News, Zv. Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, foli rreth masave të reja të marra, në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Ndër to është edhe zhvillimi i mësimit online për studentët. Këtë masë, Rakacolli e quan se është marrë në momentin e duhur dhe se është për të mbrojtur shëndetin e gjithësecilit. Një vendim i tillë do të jetë efektiv vetëm për një muaj, më pas gjithçka do të rishikohet, duke parë edhe mbarëvajtjen e situatës.

Rakacolli: Në analizën e bërë dje vumë re që ashtu si në të gjithë botën, rastet kanë një rritje të ndjeshme, në Amerikë, Europë, rajon, por edhe në Shqipëri. Duke analizuar se kush janë shkaqet që në vendin tonë kemi një rritje të ndjeshme të rasteve pozitive, në krahasim me 2 javë më parë, menduam që duke gjetur shkaqet, të mendojmë edhe çfarë masash mund të marrim. Ishim para sfidës që me datën 2 nëntor fillon mësimi për universitetet, dhe dihet që kjo hapje shoqërohet me hapjen e konvikteve, me grumbullimin e të rinjve në kafene, që janë ambjente favorizuese për të përhapur sëmundjet. U vendos që të mos hapeshin auditoret apo konviktet dhe të vijohet njëlloj si në fundvitin e kaluar, me mësimin online.

Sipas zv.ministres të gjitha vendimet janë marrë në grup dhe duhen respektuar.

Rakacolli: Problemi është kompleks. Përveç anës së mirëfilltë shëndetësore, kjo lidhet natyrisht edhe me gjëra të tjera. Prandaj kur merren vendimet, merren në grup, të diskutuara, të debatuara shpesh dhe pastaj vendosim kush është më e mira. Sepse padyshim që janë edhe faktorët ekonomikë, por në këtë rast, me këto lloj shifrash që ne kemi, predominon shëndeti. Është shumë e madhe mundësia për t’u sëmurë, dhe nëse sëmuresh, kostot ekonomike janë shumë më të mëdha. Dhe nëse kapet një masë e madhe studentësh, përsëri mësimi nuk zhvillohet. Marrim gjithmonë masa duke menduar skenarët më të këqija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat