Tritoli në banesën e 69-vjeçarit, një “mesazh” për lidhjen e tij me SHISH?

Shqipëria

Tritoli në banesën e 69-vjeçarit, një “mesazh” për lidhjen e tij me SHISH?

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 10:44
Tahsim Banushaj

Një ditë pas ngjarjes, ku iu vendos tritol në derën e shtëpisë shtetasit nga Vlora, Tahsim Banushaj, policia ka ngritur pistën e parë të hetimit.

Edhe pse motivet e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta, është marrë në pyetje pronari i banesës, i cili jetonte në shtëpi vetëm me bashkëshorten e tij.

69-vjeçari Tahsim Banushaj ka punuar si kasap në Vlorë, ndërsa është me origjinë nga fshati Ramicë. Sipas informacioneve nga Policia e Vlorës, mësohet se Banushaj kohë më parë ka qenë edhe bashkëpunëtor i SHISH-it, çka mund të jetë një nga pistat e hetimit të Policisë së Vlorës. Këta të fundit dyshojnë se vendosja e lëndës plasëse mund të jetë një "mesazh" për lidhjen e tij të mëparshme si bashkëpunëtor me këtë institucion.

Ndërkohë, pronari i banesës ka folur rreth momentit kur edhe është dëgjuar shpërthimi dhe frikën e atyre çasteve. Për fat dëmtimi ka qenë vetëm në derën kryesore të banesës.

“Ishim në gjumë. Nga ora 3 e mëngjesit dëgjojmë si krismë, shpërthim. Obobo i thashë gruas, tërmet. Dolën edhe komshinjtë nga banesat e tyre dhe po pyesnin për shpërthimin. Mendova se mund të kishte ndodhur diku tjetër fillimisht. Mora elektrikun e dorës pashë këtu në banesë, fillimisht nuk gjeta gjë. U afrova te dera dhe aty pashë dëmet e shkaktuara. ‘Qenka ‘dasma’ jonë’, i thashë gruas. Na e kanë hedhur ne. Nuk më shkon mendja te njeri. Nuk i kam njeriu borxh. Kam punuar si kasap. Ndoshta dikush më ka borxh mua. Fëmijët i kam të shpërndarë, këtu dhe jashtë shtetit. Edhe mund të kenë gabuar derë, ndoshta. Edhe Policia ma ka ngatërruar emrin”, është shprehur Tahsim Banushaj.

Megjithatë, një tjetër pistë që policia nuk e përjashton, është edhe ndonjë konflikt i mundshëm i 69-vjeçarit, gjë që ky i fundit e ka përjashtuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 e 16 minuta të mëngjesit të së premtes në lagjen “Hajro Çakërri” dhe zona ku ndodhi shpërthimi është në periferi të qytetit, ku mungojnë dhe kemarat e sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat