Tërmeti në Izmir, mjeku Brezhnica: Nuk dihet ende numri i atyre që kanë ngelur nën gërmadha

Shqipëria

Tërmeti në Izmir, mjeku Brezhnica: Nuk dihet ende numri i atyre që kanë ngelur nën gërmadha

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 08:21
Besnik Brezhnica

Në një intervistë për Euronews Albania mjeku Besnik Brezhnica në Izmir, foli rreth gjendjes në spitale nga të lënduarit e tërmetit të së premtes me epiqendër në brigjet e detit Egje ku sqaroi se pjesa më e madhe e atyre që kanë pasur plagë tashmë janë jashtë rrezikut.

“Gati 1000 persona ishin lënduar, shumica e tyre kanë dalë nga spitali. 200 persona janë akoma në spital për fat të keq dhe vazhdon kurimi i tyre ndërsa për numrin e personave të vdekur, për fat të keq vazhdon të rritet akoma. Vetëm mbrëmë patëm një lajm të mirë se një vajzë 14-vjeçare pas 58 orësh u shpëtua,” – tha mjeku.

Në fjalën e tij mjeku tregoi se kur njerëzit ngelen nën gërmadha, traumat janë të mëdha dhe pjesa më e madhe e atyre 200 personave që gjenden në spital janë në reanimacion.

Ai tha se kërkimet po vazhdojnë pa u ndalur dhe se nuk dihet ende numri i saktë i personave që nuk janë nxjerrë nga rrënojat.

Sa i përket gjendjes në qytetin e Izmirit, Brezhnica tha prej pandemisë shkollat nuk kanë nisur dhe fëmijët kanë qenë të gjithë në shtëpitë e tyre, teksa theksoi se grupmosha e vogël e kap pësuar më keq nga pjesa tjetër. Gjithashtu qytetarët kanë frikën e tërmeteve të tjera dhe kjo e bën gjendjen edhe më alarmante.

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur Turqinë dhe Greqinë mesditën e së premtes. Autoritetet turke raportuan se lëkundja më e fortë u regjistrua rreth orës 14:51 (me orën lokale) me magnitudë 6.6 të shkallës Richter me epiqendër 16.5 kilometra në jugperëndim të Izmirit, 13 kilometra larg ishullit grek të Samos në Egje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat