Pronari i magazinës në Lushnjë: Ju tregoj gjithçka di mbi kamionin

Shqipëria

Pronari i magazinës në Lushnjë: Ju tregoj gjithçka di mbi kamionin

Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 16:50
Foto Ilustrim

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi.

Seanca u zhvillua mesditën e së shtunës, ndërsa dy shtetasit e mësipërm akuzohen për bashkëpunim në trafikimin e sasisë prej 2.6 tonësh drogë e llojit marijuanë që u kap në një kamion me targa shqiptare në Malin Zi, i cili kaloi përmes doganës së Hanit të Hotit. Dy të dyshuarit gjatë seancës në Gjykatën e Shkodrës kanë mohuar akuzat ndaj tyre, duke thënë se nuk kanë lidhje me drogën që është gjetur nga pala malazeze në Bozhaj. Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi deklaruan se ata nuk kanë lidhje me drogën dhe se vetëm kanë siguruar një magazinë për frutaperime, që e ka kërkuar shoferi i kamionit Elvis Çalik, i cili u arrestua në Malin e Zi.

“Ne nuk kemi lidhje me drogën e gjetur në kamion. Unë kam kontaktuar me 27 tetor me Elvis Çalik, sepse më ka kërkuar që t’i gjeja një magazinë për fruta-perime. Unë kam kontaktuar me Përparim Shurdhin, sepse kishte magazinën dhe më pas janë marrë vesh vetë. Unë që pas 27 tetorit nuk kam komunikuar asnjëherë dhe nuk kam lidhje me drogën fare, por thjeshtë i kam treguar se kush ka magazinë”, ka deklaruar shtetasi Arlind Tabaku para Gjykatës.

PRONARI I MAGAZINËS NË LUSHNJË

Nga ana tjetër, edhe pronari i magazinës ka mohuar se ka lidhje me ngarkesën e 2.6 tonëve marijuanë që u kap në kamionin që drejtonte Elvis Çalik.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me drogën që është gjetur në kamionin për të cilin flitet. Mua më kanë kërkuar që t’i jap me qira magazinën. Elvis Çalik tha se e donte për të lënë fruta-perime, duke qenë se Lushnja është e njohur për atë punë. Unë ia dhashë magazinën time dhe mora paratë për qiranë. Unë nuk e di çfarë kanë bërë brenda magazinës, sepse nuk kam qenë aty fare. Unë mund t’ju ofroj edhe kamerat e sigurisë që kanë qenë në mjediset e jashtme të magazinës. Kamioni, me sa kam parë në kamera, ka qëndruar dy orë dhe më pas ka dalë nga magazina. Unë jam krejt i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të treguar çfarë di, por nuk kam asnjë lidhje me drogën, thjesht i kam dhënë magazinën me qira”, deklaroi shtetasi Përparim Shurdhi.

AVOKATËT

Ndërkohë, avokatët mbrojtës të Arlind Tabakut deklaruan se Prokuroria ka pasur zero prova ndaj dy shtetasve të arrestuar në Lushnjë dhe se ndalimi i tyre është absurd. “Prokuroria ka zero prova lidhur me arrestimin dhe këtë ngjarje. Arlind Tabaku ka vetëm një komunikim me 27 tetor me Përparim Shurdhin dhe shoferin e kamionit. Arlind Tabaku, por as Përparim Shurdhi, nuk kanë qenë fare në magazinë dhe kjo është e vërtetuar edhe përmes kamerave të sigurisë. Nuk ka asnjë lloj prove nga ana e Prokurorisë dhe asnjë lloj indicieje që mund t’i implikojë dy shtetasit e arrestuar.

Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi nuk kanë nxjerrë asnjë emër të personave të përfshirë në ngarkesën e drogës. Magazinën shoferi i kamionit ia ka kërkuar me qira shtetasit Përparim Shurdhi dhe ia ka dhënë, ndërsa janë kamerat e sigurisë që e vërtetojnë këtë. Nuk ka asnjë provë që kamioni është ngarkuar me drogë te magazina, por vetëm shihet duke hyrë dhe duke dalë brenda magazinës në kamera”, deklaroi avokati mbrojtës, Saimir Korreshi. Ndërkohë, Anton Kosteri, po ashtu avokat mbrojtës i Arlind Tabakut, thotë se është absurde që nuk është ende nën hetim asnjë punonjës i doganës në Hanin e Hotit nga ku ka kaluar kamioni me drogë dhe arrestohen në mënyrë absurde këta dy shtetas që nuk kanë asnjë lidhje me drogën që ka gjetur Policia malazeze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat