Luan Rama: Zëdhënësi i UÇK-së në burg, zëdhënësi i Millosheviçit nënshkruan marrëveshje me Edi Ramën

Shqipëria

Luan Rama: Zëdhënësi i UÇK-së në burg, zëdhënësi i Millosheviçit nënshkruan marrëveshje me Edi Ramën

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 10:24
Luan Rama

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka komentuar gjyqin në Hagë për ish-ushtarët e UÇK-së. Në një status në Facebook, Luan Rama e quan paradoks që zëdhënësi i UCK-së është në burg, ndërsa zëdhënësi i Millosheviçit nënshkruan me Edi Ramën!

Sipas Luan Ramës e gjithë ajo që po ndodh në Hagë është kryekëput përpjekje për të nxjerrë përpara gjyqit ushtrinë çlirimtare të Kosovës dhe luftën e drejtë për liri që bënë shqiptarët kundër rregjimit të Millosheviçit.

Postimi i plotë

Paradoks:

Zëdhënsi i UÇK-së në burg, zëdhënësi i Millosheviçit nënshkruan me Edi Ramën!

E hënë, 9 nëntor 2020.

Në morinë e lajmeve të shumtë të një dite të zakonshme, dy prej tyre janë padyshim të veçantë e kanë të bëjnë njëherësh me Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë.

Lajmi i parë:

Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovë që karrierën politike e ka nisur si drejtues politik i UÇK-së dhe Jakup Krasniqi, zëdhënësi i ushtrisë çlirimtare të Kosovës e cila 21 vjet më parë luftoi bashkë me NATO-n për çlirimin e Kosovës prej dhunës, represionit dhe genocidit shtetëror të rregjimit të Sllobodan Millosheviçit, u shfaqën me pranga në duar si të burgosur të drejtësisë ndërkombëtare, për tu gjykuar në Hagë prej një gjykate me emrin “Dhomat e Specializuara”, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit!

Lajmi i dytë:

Zëdhënësi i Sllobodan Millosheviçit si ministër i informacionit në vitet 1998 – 2000 e tani Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, nënshkruan me Edi Ramën marrëveshjen për lejimin e kalimit të kufirit, përveçse me pasaportë edhe me kartë identiteti apo letërnjoftim.

Mund të ketë qenë rastësi që të dy ngjarjet ndodhën në të njejtën ditë, por, Kryeministri i Shqipërisë do të duhej ta kishte evituar shfaqjen e tij përkrah Presidentit të Serbisë, të paktën në respekt formal ndaj dy personaliteteve dhe figurave të rëndësishme të UÇK-së, që gjenden në Hagë prej hakmarrjes së Beogradit ndaj luftës së ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Shfaqja e Edi Ramës përkrah zëdhënësit të Millosheviçit në të njejtën ditë kur zëdhënësi i UÇK-së shfaqet me pranga në duar si i akuzuar për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit, është cinizëm po aq i shëmtuar sa instrumentalizimi prej tij i gjithë maskaradës së Hagës për luftë ndaj kundërshtarëve politikë, që më shumë se sa njollosjen e emrit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, synon t’i bëjë gjyqin ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Sado të përpiqet ndokush për t’i paraqitur akuzat ndaj ish drejtuesve të UÇK-së si akuza individuale ndaj tyre, e gjithë ajo që po ndodh në Hagë dhe që është projektuar menjëherë pasi Kosova u çlirua prej pushtimit të Serbisë, është kryekëput përpjekje për të nxjerrë përpara gjyqit ushtrinë çlirimtare të Kosovës dhe luftën e drejtë për liri që bënë shqiptarët kundër rregjimit të Millosheviçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat