Mbi 700 punonjës policie të prekur nga COVID-19, 315 prej tyre të karantinuar në banesë

Shqipëria

Mbi 700 punonjës policie të prekur nga COVID-19, 315 prej tyre të karantinuar në banesë

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 15:45
Ilustrim

Koronavirusi nuk ka kursyer as punonjësit e policisë të cilët prej nisjes së pandemisë numërohen mbi 700 të prekur. Pothuajse gjysma e tyre janë të vetëkarantinuar, ndërsa mungesa e tyre ka krijuar vështirësi në përballimin e punës së policisë. Për këtë arsye punonjësve të policisë u është kërkuar të punojnë me orë shtesë për të përballuar shërbimin e përforcuar të cilin po e aplikojnë prej disa kohësh.

Krahas bluzave të bardha që ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës ndaj COVID-19, kontribut për parandalimin e përhapjes së sëmundjes kanë dhënë dhe efektivët e policisë të cilët janë infektuar në një numër të konsiderueshëm.

Më shumë se 700 punonjës policie janë prekur nga virusi që prej nisjes së pandemisë, 315 prej të cilëve ndodhen të vetëkarantinuar në banesë si pasojë e infektimit.

Java që po mbyllet ka rezultuar me rritje të frikshme të efektiveve të prekur, ku numërohen mbi 120 të infektuar.

Sëmundja nuk ka kursyer as zëvendësdrejtorin e policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, i cili është infektuar pak ditë më parë dhe po vijon mjekimin në shtëpi në gjendje të stabilizuar.

5 oficerë janë të shtruar në spitalet COVID për të marrë mjekimin e nevojshëm, ndërsa 10 kolegë të tyre kanë humbur jetën që prej muajit mars.

I fundit që nuk e përballoi luftën me koronavirusin, ishte agjenti i sektorit të Antidrogës, Florian Pema, i cili humbi jetën të premten.

Infektimi i punonjësve të policisë ka krijuar mungesa në zbatimin e planit të masave, ndaj drejtuesit e policisë së shtetit janë detyruar të ndërmarrin masa për plotësimin e vendeve vakante.

Mungesa të konsiderueshme janë krijuar në disa prej komisariateve të vendit, ndaj punonjësve të policisë u janë kërkuar të punojnë me orë shtesë për të mbuluar vendet e kolegëve të tyre.

Kjo kërkesë është bërë për shkak të rritjes së patrullimit për kontrollin e maskave apo për të kryer kontrolle në postblloqet e ngritura pas hyrjes në fuqi të kufizimeve të reja.

Pjesa më e madhe e efektivëve të prekur janë ata të rendit policisë rrugore dhe të shërbimit të pritjes, që janë në kontakt të drejtpërdrejt me qytetarët.

Ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, edhe efektivët në shumicën e kohës duhet që maskën ta sigurojnë vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat