VOA: Rëndohet edhe më tej situata e krijuar nga pandemia në Shqipëri

Shqipëria

VOA: Rëndohet edhe më tej situata e krijuar nga pandemia në Shqipëri

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 07:22
Ilustrim

Në Shqipëri, infektimet me koronavirus po shtohen me shpejtësi dhe këtë javë u shënuan disa rekorde maksimale të zgjerimit të epidemisë.

Sipas të dhënave më të fundit nga autoritetet e shëndetësisë, në 24 orët e furndit u shënuan 565 qytetarë të prekur rishtas nga koronavirusi dhe 14 qytetarë që kanë humbur jetën prej tij. Gjithsej janë deri tani 699 të vdekur nga Covid-19.

Pjesa më e madhe e të prekurve janë në kryeqytet dhe të tjerët janë zbuluar në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan e pothuaj në të gjithë territorin e vendit.

Në 3 spitalet COVID po trajtohen afro 450 pacientë, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm i tyre është 550 shtretër.

Shtimi i shpejtë i pacientëve të prekurve me koronavirus i nxiti zyrtarët e mjekësisë të bëjnë gati për të hapur një pavion të ri në spitalin Covid-3 me 50 shtretër të rinj.

Zyrtarët njoftuan se brenda javës së re pritet të jetë gati edhe spitali COVID-4, në varësi nga fluksi i pacientëve.

Ata po përsëritin thirrjet që qytetarët të ruajnë distancat dhe të mos dalin pa shkak jetësor nga banesat.

Mjekët pohuan se ky pritet të jetë një dimër tepër i vështirë nga pikëpamja shëndetësore, dhe mbajtja e maskave pa ndalim në mjedise të përbashkëta është minimumi i domosdoshëm për të frenuar përhapjen e infektimit.

Komiteti shtetëror i ekspertëve ka parashikuar dhe hapjen e disa spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me Covid gjatë dimrit, në varësi nga situata e epidemisë.

Qeveria vendosi të mbyllë qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit dhe po gjobit kalimtarët që nuk mbajnë maska.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat