Gati për zgjedhjet, regjistrohet në gjykatë ''Lëvizja për Ndryshim'' e Jozefina Topallit

Shqipëria

Gati për zgjedhjet, regjistrohet në gjykatë ''Lëvizja për Ndryshim'' e Jozefina Topallit

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 14:27
Jozefina Topalli

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli regjistroi ditën e sotme në Gjykatë e Rrethit Tiranë, partinë e saj “Lëvizja për Ndryshim” dhe në këtë mënyrë ajo pritet të përfshihet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Partia, e cila do të ketë si akronim gërmat LN, thuhet se u themelua nga Topalli, Adela Kryeziu, Evald Serreqi dhe Najada Selmani dhe një numër anëtarësie prej 5,199 personash.

Ngjyrat e partisë do të jenë e bardha, bluja dhe portokallia.

Prej muajit tetor Topalli paralajmëroi përfshirjen në një parti të re.

Në një intervistë për Euronews Albania ajo tregoi arsyet se përse u largua nga Partia Demokratike, parti në të cilën kishte kontribuuar prej vitesh dhe kishte qenë edhe në poste drejtuese të saj.

Ish-kryetarja e Kuvendit ka qenë një nga kritiket më të forta të udhëheqjes së re të PD-së nën kryetarin Lulzim Basha.

Ajo është shprehur se nëse opozita e Bashës do të kishte qenë më e fortë “qeveria e Ramës do të ishte rrëzuar me kohë”.

“Lëvizja për Ndryshim” vjen sipas Topallit si nevojë për të larguar nga pushteti drejtuesit e partive të mëdha dhe për t’iu dhënë mundësi më shumë të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë për t’u përfshirë në vendimmarrje.

Sikurse e ka cilësuar Topalli, partia e saj “ka kryesisht elektorat nga e djathta” megjithatë ajo nuk ka përjashtuar mundësitë që nisma e saj të fitojë mbështetje edhe nga socialistët, pasi ajo thotë se “edhe ata janë zhgënjyer nga qeverisja e Ramës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat